Shifra që japin garanci, Gvozdenoviç ndryshoi Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2023 | 15:25

Shifra që japin garanci, Gvozdenoviç ndryshoi Skënderbeun

Skënderbeu ka një tjetër marsh nën drejtimin e Ivan Gvozdenoviç dhe këtë e konfirmojnë shifrat. Që në kohën kur 44-vjeçari serb është ulur në stolin e korçarëve, skuadra ka njohur vetëm rezultate pozitive në kampionatin e Kategorisë së Parë.

gvozdenovic

Nëse u referohemi statistikave, asnjëherë më parë në vitet e fundit bardhekuqtë nuk kanë pasur një ecuri të tillë me gjashtë rezultate pozitive radhazi, mes të cilave 4 fitore dhe dy barazime. Për të kërkuar një ecuri të tillë duhet të shkojmë pas në kohë, në sezonin 2019-2020 në elitë, atëherë kur Skënderbeu i drejtuar nga Ilir Daja merrte katër fitore dhe dy barazime mes muajve shkurt dhe mars, teksa e mbyllnin sezonin në vendin e katërt me 58 pikë të grumbulluara. Nga kjo periudhë e në vazhdim, korçarët kanë pasur një ecuri me shumë luhatje, pra duke mos arritur të mbajnë një ritëm konstant në disa ndeshje radhazi.

MBROJTJA – Padyshim që veç rritjes cilësore të ekipit, një meritë të veçantë ka edhe trajneri Gvozdenoviç, i cili që në momentin e parë kur ka mbërritur në Korçë ka vendosur kushtet e veta për rivendosjen e mentalitetit fitues. Një mentalitet, të cilin serbi e kishte me vete që në kohët e arta të Skënderbeut europian. Por, nuk është vetëm ecuria ajo që të bën përshtypje dhe i jep pikë ringritjes që korçarët kanë bërë në renditje në këto gjashtë javë. Gvozdenoviç ka një tjetër meritë, pasi ka krijuar një skuadër solide, sidomos në prapavijë. Mjafton të përmendim faktin se në gjashtë takime radhazi, korçarët kanë pësuar vetëm një gol, atë të minutave të fundit ndaj Dinamos në transfertë.

Të dhëna mbresëlënëse që tregojnë se prapavija e ndërtuar nga Prençi dhe Randi në qendër, si dhe kapiteni Frashëri, Idrizaj apo Zenullari në krahë, janë prapavija kompakte e Skënderbeut të javëve të fundit. Një situatë e ngjashme është regjistruar në sezonin 2017- 2018, atëherë kur korçarët ishin në kulmin e tyre dhe luftonin në disa fronte. Ecuria aktuale jep garanci për rikthimin në elitë të ekipit.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"