Sfidë speciale në Berat, Arbëri: Barazimi nuk favorizon asnjë ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2023 | 12:11

Sfidë speciale në Berat, Arbëri: Barazimi nuk favorizon asnjë ekip

Vora do të zhvillojë ndeshjen e fundit të vitit 2023 në transfertën beratase, e cila është shumë e veçantë për stafin teknik. Trajneri Klodian Arbëri dhe ndihmësi i tij, janë pikërisht nga ky qytet dhe për më tepër, sot për herë të parë do të sfidojnë vendlindjes nga ky pozicion.

arberi

Arbëri, i cili e nisi sezonin si trajner i Tomorit dhe tashmë drejton Vorën, nuk i fsheh emocionet në intervistën për “Panorama Sport”. Ai tregon se sot një barazim nuk do t’i vlente askujt, ndërsa shpreson që të fitojë më i miri në fushë.

Klodi, a ju kënaq kjo ecuri?

Nga dita në ditë, si unë edhe lojtarët, po ambientohemi me njëri-tjetrin, pasi të gjithë jemi profesionistë. Vijmë nga një fitore e pastër ndaj Flamurtarit, ku skuadra jonë tregoi shpirt luftarak, ndaj një rivali me lojtarë cilësorë. Kjo nuk vjen nga rastësia, sepse ekipi në këto lloj ndeshjesh e ka treguar veten me lojë dhe karakter. Në ndeshjet e fundit i kemi dhënë përparësi pjesës sulmuese, sepse Vora në përbërje lojtarë më potencial dhe me eksperiencë. Të gjithë na japin komoditetin për t’i dhënë përparësi fazës sulmuese.

Ndeshja e fundit për këtë vit do të luhet në Berat, pikërisht në qytetin tuaj. Keni emocione?

Kjo për mua do të jetë ndeshja më e vështira në rolin e trajnerit. Sigurisht është normale që të kem emocione, pasi kam lindur në Berat, kam luajtur aty dhe kam drejtuar si trajner. Nuk doja ta shihja skuadrën time të zemrës në këtë situatë. Gjithsesi, ne jemi profesionistë dhe shërbejmë atje ku punojmë.

Besoni se Vora juaj do të fitojë ndaj Tomorit dhe çfarë prisni nga tifozët?

Besoj se tifozët beratas do të më mbështesin, sepse unë i kam pasur mbështetje gjithmonë. I vlerësoj, por kurrë s’më vjen mirë që edhe ata ta shohin skuadrën e tyre në këtë situatë, sidomos kundra ishfutbollistit të tyre. Gjithsesi, i uroj Tomorit suksese dhe të fitoj ekipi që do japi më të mirën në fushë.

Një pikë do të ishte OK për të dyja?

Në këtë takim me plot dëshirë do të dëshiroja “paqen”, por nuk na lejon situata për t’u kënaqur me barazim. Ky rezultat nuk favorizon asnjë prej ekipeve. Fitoftë ai që do të bëjë më mirë në fushë.

Çfarë prisni nga merkatoja e janarit?

Mendoj se nuk mund të ketë ndonjë diçka për të lëvizur dhe që na mungon, sepse Vora ka potencialin e nevojshëm. Mjafton vetëm thjeshtë menaxhimi i grupit. Me kushtet që kemi duhet të ishim ekipi i parë për t’u ngjitur në Superiore. Kësaj skuadre i kanë hyrë në “hak”, por ne vazhdojmë me kokën lart dhe do të luftojmë fort për objektivin.

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"