Salihin nuk e lëkund humbja: E dimë forcën tonë, vazhdojmë përpara

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2016 | 19:59

Salihin nuk e lëkund humbja: E dimë forcën tonë, vazhdojmë përpara

Hamdi Salihi e merr me qetësi humbjen ndaj Tiranës, i ndërgjegjshëm për forcën dhe mundësitë e Skënderbeut. Sulmuesi i korçarëve foli për mikrofonin e “SuperSport”-it pas disfatës 2-1 përballë bardhebluve në kryeqytet.

Salihi

“Problemet më tepër janë fryrë nga jashtë, pasi ne kemi qenë në rregull në punën tonë duke marrë fitoret. Pavarësisht se nuk kemi shënuar shumë gola si vitin e kaluar, asnjë nga fitoret nuk e kemi vënë në diskutim. Përveç ndeshjes me Teutën që shënuam në fund, në ndeshjet e tjera kemi shënuar shpejt dhe e kemi administruar lojën pa e vënë asnjëherë në diskutim fitoren”, u shpreh bomberi shkodran.

“Siç e kam thënë edhe në intervista të tjera, – vijoi ai, – edhe për ne do të ketë humbje, barazime, momente të vështira. I kemi kaluar momentet e mira në gjashtë ndeshjet e para dhe i kemi shfrytëzuar mundësitë që na janë dhënë. Sot humbëm, por duhet të vazhdojmë përpara sepse i dimë mundësitë tona, e dimë sa e kemi forcën. Kjo humbje nuk na lëkund”.

Duke bërë krahasimin me Skënderbeun e sezonit të kaluar, 32-vjeçari komentoi: “Kemi pasur largime cilësore, por edhe afrimet e sivjetshme nuk qëndrojnë më prapa. Dy ekipet janë të ndryshme, vjet kemi pasur tjetër filozofi loje dhe tjetër rrjedhë në aksionet. Sivjet mundohemi të bëjmë tjetër lloj loje. Ekipet nuk ngjajnë nga ndeshja në ndeshje, jo më nga sezoni në sezon. Sezoni i vjetshëm ka kaluar, tani përqendrohemi te ky. Ne e dimë forcën tonë, e dimë se sa kemi kapacitet, ekipi është i kompletuar  dhe do të vazhdojmë rrugën njësoj”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"