Sadiku, “njeriu gol” në debutim. Shënon gjithmonë, me klubin e Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2017 | 21:49

Sadiku, “njeriu gol” në debutim. Shënon gjithmonë, me klubin e Kombëtaren

Armando Sadiku mund të konsiderohet një njeri me fat, por thonë se çdokush e shkruan vetë fatin e tij. E krahason veten me Ibrahimoviçin, sepse është i uritur kudo që shkon dhe kërkon të shënojë, fitojë dhe të lërë gjurmë. Ka shumë pak ditë në skuadrën e Legias së Varshavës dhe në 3 ndeshje të luajtura, ka arritur të shënojë 2 gola.

sadiku

Aspak keq për një sulmues të ri, të cilit i duhet kohë të përshtatet me skuadrën dhe të njohë mirë kampionatin. Mirëpo, pas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, rezulton se sulmuesi i Kombëtares shqiptare nuk i ka shënuar rastësisht këta gola (1 në kampionatin polak dhe 1 në eliminatoret e Ligës së Kampionëve). Ai nuk zhgënjen kurrë në start dhe thuajse në të gjitha ndeshjet debutuese të tij, ka arritur të lërë gjurmë, madje përfshirë edhe ato me fanellën kuqezi.

Sadiku

POLONI DHE CHAMPIONS

Le ta nisim analizën me të tashmen. Vetëm 45 minuta iu deshën në kampionat me skuadrën e Legias së Varshavës për të shënuar një supergol në debutim, edhe pse ai nuk vlejti për t’i dhënë pikë skuadrës. Sadiku bëri një nisje të çmendur edhe në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, kur i futur nga stoli në minutën e 70-të, iu deshën vetëm 9 minuta për të shkruar emrin e tij në librin e artë të këtij kompeticioni. Sërish Legia humbi 3-1 ndaj Astanës dhe në 2 gusht do të luajë sfidën e kthimit.

Armando Sadiku Legia

GOLAT NË ZVICËR

Për të shënuar golin e parë në Zvicër, iu deshën 3 ndeshje, pas transferimit nga Elbasani te Lokarno. Këtu dështoi të shënonte në debutim, por në transferimin e tij te Lugano, bën një nisje ëndrrash. Në ndeshjen e parë të luajtur me këtë fanellë, në 30 korrikun e vitit 2012, Sadiku shënon dy gola në ndeshjen Lugano-Biel Bien. Dopieta e tij çmendi Zvicrën dhe të gjithë e konsideruan si një nga transferimet më të zgjuara të Luganos.

sadiku-me-luganon

Pas disa sezonesh në këtë skuadër, u largua në drejtim të Zyrihut. As këtu nuk ia doli të shënonte në ndeshjen e tij të parë, por nga Zyrihu u transferua te Vaduzi. Nuk zhgënjeu këtë herë. Sulmuesi kuqezi shënon sërish dy gola në ndeshjen e tij të parë me fanellën e Vaduzit duke mposhtur një tjetër ish-ekip, Luganon.

Qëndron vetëm 1 vit te Vaduzi dhe shënon 7 gola në total, por t’u rikthyer sërish në skuadrën e Zyrihut. Rikthimi këtë herë është i “ëmbël” sepse në ndeshjen e parë të sezonit, bomberi shqiptar shënon 1 gol në portën e Vinterturit, në fitoren 2-0 që mori Zyrihu.

sadiku

Gjashtë muaj më parë, Paolo Tramexani bëri gjithçka për ta marrë te Lugano dhe 26- vjeçari nuk zhgënjeu. Në të parën nuk shënoi, por në të dytën arriti të linte gjurmë edhe në këtë skuadër. Me Zyrihun ai shënoi gjithashtu edhe në Europa Ligë kundër Vijarealit, në ndeshjen e parë të sezonit 2016-2017.

ME KOMBËTAREN

Armando Sadiku është lojtari që do të mbahet mend gjatë në historinë e Kombëtares shqiptare për golin e shënuar në Kampionatin Europian. Ishte debutimi për Shqipërinë dhe ai shënoi në ndeshjen e tretë kundër Rumanisë.

sadiku goli rumani festa

Mirëpo, sulmuesi kuqezi ka shënuar në debutimin e tij me Kombëtaren Shpresa në ndeshjet eliminatore të Europianit. Në fitoren 4-3 kundër Moldavisë, Sadiku shënoi gjithashtu dy gola. Ai nuk e prishi traditën as me Kombëtaren e madhe.

Sadiku

Në debutimn e tij zyrtar kundër Qipros, Sadiku shënoi golin e parë zyrtar edhe për trajnerin Xhani De Biazi. Vështirë që të gjitha të quhen rastësi…

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"