RREGULLORJA/ Kamza rrezikon përjashtimin nga Superiorja, analogji me Bylisin e 2014-ës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2019 | 13:00

RREGULLORJA/ Kamza rrezikon përjashtimin nga Superiorja, analogji me Bylisin e 2014-ës

Kamza është drejt rrugës së përjash timit nga kampionati. Ky është standardi i Disiplinës në raste të ngjashme, kur dhunohet barbarisht një zyrtar i ndeshjes, para gjatë apo pas takimit.

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

Herën e fundit, skuadra që ka shijuar përjashtimin është Bylisi, pas dhunimit të delegatit të ndeshjes dhe lojtarëve kundërshtarë. Kodi i Drejtësisë Sportive shprehet qartë se një ekip, për dhunim të gjyqtarit mund të përjashtohet fare, t’i hiqen pikët, të humbasë ndeshjen në tavolinë e me radhë. Një vendim i tillë është marrë më parë dhe gjasat janë që kjo histori të përsëritet.

NENI 65 I KDS-SË Dështimi në përmbushjen e përgjegjësive

1. Personat juridikë, shoqatat dhe klubet që dështojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive të tyre, në përputhje me nenin 65 do të dënohen me gjobë.

2. Në rastet e shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime të tjera, si zhvillim i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat dhe/ose humbje e ndeshjes në tavolinë.

3. Personat juridikë, shoqatat dhe klubet që organizojnë ndeshjet zyrtare si fusha pritëse do të dënohen si më poshtë:

a) në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, pa shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium do të penalizohet me zhvillimin e 1 (një) ndeshjeje pa spektatorë.

b) në rastin e hyrjes brenda pjesës së rrethuar të fushës së lojës të ndonjë personi, duke shkaktuar akte të dhunës ndaj lojtarëve në fushë, dhe/ose zyrtarëve të ndeshjes, dhe/ose ndërprerje të lojës, ekipi përgjegjës për sigurinë në stadium ose ekipi përgjegjës për aktet e kryera do të penalizohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe zhvillimin e të paktën 4 ndeshjeve pa spektatorë.

4. Organi gjykues ka të drejtë të vendosë dënime edhe nëse nuk është verifikuar ndonjë shkelje e përcaktimeve këtu në këtë Kod, por thjesht për çështje të mospërmbushjes së standardeve të sigurisë.

BYLISI SI PRECEDENT – KF Bylis është klubi i parë në historinë e futbollit, që u përjashtua nga kampionati i Kategorisë Superiore për shkak të dhunës në 2014-ën. Nëntë javë para përfundimit të sezonit, ballshiotët i thanë “lamtumirë” elitës së futbollit shqiptar.

Komisioni i Disiplinës vendosi që ballshiotët të zbrisnin direkt një kategori më poshtë, ndërsa nga ana tjetër i dhanë tri pikët në tavolinë skuadrës së Laçit. Po ashtu, presidenti i klubit të Bylisit, Besnik Kapllanaj, u përjashtua përgjithmonë nga çdo lloj aktiviteti sportiv, edhe pse tani është falur. Bylisi u bë skuadra e parë në gjithë historinë e futbollit shqiptar, e cila u përjashtua menjëherë nga gara për shkak të dhunës, teksa militonte në elitën e futbollit në vend.

Anëtarët e Komisionit të Disiplinës i janë referuar më së shumti nenit 65 të Kodit të Disiplinës, i cili parashikon se, në rast të dështimit të përmbushjes së përgjegjësive, mund edhe të përjashtohen nga kampionati. Elementet që rëndonin klubin ballshiot ishin: dhunimi i delegatit të ndeshjes, futbollistëve të ekipit kundërshtar, por edhe fakti që në fushë u hodhën gurë gjatë penalltisë së akorduar në fundin e takimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"