Rrëfimi për “Panorama Sport” / Xhaka: Nuk vij në kombëtare me De Biazin, po luajnë lojtarë inferiorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2017 | 11:35

Rrëfimi për “Panorama Sport” / Xhaka: Nuk vij në kombëtare me De Biazin, po luajnë lojtarë inferiorë

Grintoz, i drejtpërdrejtë dhe i ashpër siç është në fushën e lojës, ashtu është treguar edhe në deklaratën e dhënë mbi situatën e krijuar. Taulant Xhaka mori vendimin për t’u larguar nga grumbullimi i Kombëtares, por në rrëfimin ekskluziv për “Panorama Sport” bën me dije se ka bërë të gjitha përpjekjet për të sqaruar çdo gjë me teknikun kuqezi, pa ia dalë dot.

xhaka

Në komunikimin me gazetën, mesfushori i Bazelit dhe i Kombëtares është kategorik sa i përket të ardhmes së tij me kuqezinjtë. Ai bën me dije se lidhja me skuadrën përfaqësuese është ende e madhe dhe e pandërprerë për asnjë moment, mirëpo e tillë nuk mund të thuhet se është ajo me trajnerin aktual.

LARGIMI

I pyetur nga gazeta në lidhje me vendimin për t’u larguar nga Kombëtarja, mesfushori rrëfen bisedat e mbetura në tentativë me trajnerin De Biazi si dhe të gjitha situatat që e kanë sjellë çështjen deri në këtë pikë drastike.

“Unë u largova nga grumbullimi se ai trajner nuk më ka dhënë asnjë arsye se pse unë nuk luaj. Së dyti, aty ka lojtarë që luajnë nëpër ligat e dyta dhe që as nuk luajnë nëpër ekipet e tyre dhe janë aktivizuar përpara meje”, shprehet fillimisht mesfushori i Bazelit.

TRAJNERI

Xhaka bën me dije se asnjëherë nuk ka arritur të komunikojë me De Biazin në lidhje me këtë situatë të krijuar. Ai shton se italiani i është shmangur sa herë që Xhaka ka kërkuar bisedë me të.

xhaka de biazi

“Së treti, kam dashur që të flas me trajnerin, por gjithmonë më largohej që të mos bisedonte me mua. Kjo sepse ai nuk kishte asnjë arsye për të m’u përgjigjur”, vijon akuzën e tij futbollisti i Kombëtares.

DEKLARATA

Në lidhje me shpjegimin që trajneri De Biazi dha në konferencën për shtyp, Xhaka tregon se tekniku ka gënjyer.

“Me keqardhje, por më vjen turp të them që gënjen kur trajneri thotë se ika për shkak se pata probleme personale”, ka deklaruar Xhaka për “Panorama Sport”.

KOMBËTARJA

Mesfushori insiston në fjalën e tij se nuk ka pasur asnjë problem me askënd në skuadër dhe se nuk ka menduar kurrë largimin nga Kombëtarja. Mirëpo, Xhaka tregon edhe vendimin drastik që ka marrë kundrejt trajnerit De Biazi.

xhaka de biazi

“Unë nuk kam asnjë problem. Me askënd në skuadër. Madje, as nuk jam larguar nga Kombëtarja. Unë luaj me zemër dhe shpirt si kuq e zi, por sa të jetë ky trajner, unë nuk do të vij më”, përfundon Xhaka për “Panorama Sport”.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"