Rrëfimi i trajnerit Stojku: Unë dhe lojtarët mbrojtëm gjyqtarin, ju tregoj situatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2019 | 14:31

Rrëfimi i trajnerit Stojku: Unë dhe lojtarët mbrojtëm gjyqtarin, ju tregoj situatën

Trajneri i Kamzës, Gentjan Stojku, ka pranuar të vazhdojë punën me skuadrën, për ta stërvitur normalisht, pas asaj ngjarjeje tepër të rëndë të dielën në ndeshjen kundër Laçit. Dje në kompleksin e Kamzës, fillimisht ai ka mbledhur ekipin në dhomën e zhveshjes, duke folur me lojtarët për rreth 10 minuta. Më pas skuadra ka dalë në stërvitje.

5c7bf3dcd35275944089061-400x220

Vetë Stojku foli për “Panorama Sport”, teksa pranoi situatën mjaft të vështirë, në një kohë që në këtë moment po diskutohet ekzistenca e skuadrës. “Është një situatë e vështirë. Çdo ekipi që mund t’i ndodhte një situatë e tillë do të ishte e rëndë. Na ka ndodhur ne dhe nuk është e mirë, sepse duam që të mos kishim probleme. Kjo kurrsesi nuk duhej të kishte ndodhur, pasi shtohet dhe një problem më shumë në renditjen që kemi.

52893609_2412114275488010_6323524523639439360_n-400x220

Megjithatë, unë do mundohem që lojtarëve t’u heq atë ankth që është krijuar në pritje të vendimit. Madje, gjej rastin përmes gazetën suaj për t’i falënderuar të gjithë lojtarët për veprimet që kanë bërë për qetësimin e situatës. Ata u vunë në mbrojtje të arbitrave, pasi situata e krijuar mund të ishte dhe më e rëndë”, deklaroi fillimisht për gazetën trajneri i Kamzës.

VENDIMI

E ardhmja e Kamzës varet totalisht nga vendimi i sotëm i Disiplinës. “Edhe pse ekziston ankthi në pritje të vendimit, skuadra po përgatitet për ndeshjen e radhës. Drejtuesit më kanë thënë që unë së bashku me skuadrën të vijoj stërvitjet normalisht, pavarësisht vendimit që do të jepet.

5c7bf3dcc7659343722375-400x220

Jemi munduar që ta lëmë pas atë që ndodhi për të kthyer vëmendjen te ndeshja e radhës. Kemi një kalendar të ngjeshur, pasi na presin dy sfida: në kampionat me Luftëtarin dhe në Kupë me Skënderbeun. Ne na mbetet të kryejmë detyrën tonë, të stërvitim ekipin, ta përgatisim për ndeshjen e radhës, ashtu siç kemi vepruar edhe më parë. Do mundohemi që lojtarëve t’ua heqim nga mendja atë ndodhi për të qenë më të qetë gjatë stërvitjeve.

Mua tashmë më del një detyrë e vetme për të karikuar ekipin, sigurisht që jemi në pritje dhe të vendimit që do të merret. Deri në momentin që do të merret vendimi, ne do të vijojmë stërvitjet normalisht. Si unë dhe lojtarët kemi qenë mjaft korrektë në fushë”, theksoi Stojku, i cili e ka ende peng mënyrën sesi u barazua takimi me Laçin.

5c7bf3de366d0816703174-400x220

“Një falënderim tjetër dua të bëj për të gjithë lojtarët edhe për mënyrën e lojës. Ndaj Laçit ka qenë një lojë e dominuar totalisht dhe më vjen shumë keq që në minutat shtesë gjyqtari akordoi penallti”.

Në fund elbasanasi që drejton Kamzën flet edhe për arrestimin e drejtuesve të klubit. “Ne kemi pasur sinjale nga krerët e klubit për të vazhduar normalisht punën dhe të mos ulim kokën. Po të kishim një pikë me Kukësin dhe tri pikë me Laçin imagjinoni sa shpresa do të kishim për mbijetesë”, përfundoi trajneri i Kamzës, i cili ka vetëm dy ndeshje që drejton ekipin pas largimit të Ernest Gjokës. Stojku është trajneri i katërt këtë sezon për Kamzën pas Bledar Devollit, Klodian Duros dhe Gjokës.

A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"