Rojs lojtari më i mirë, Jurgen Klop mbron “titullin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:50

Rojs lojtari më i mirë, Jurgen Klop mbron “titullin”

Marko Rojs është zgjedhur lojtari më i mirë i vitit 2012, ndërsa Jurgen Klop trajneri më i mirë. Ky rezultat zyrtar erdhi nga votimi i anëtarëve të federatës dhe gazetarëve, të cilët votuan me 217 vota 23-vjeçarin e Dortmundit, i cili u ble nga kampionët për 17.1 milionë euro nga Mynshengladbahu. Vendin e dytë, me 108 vota, e zuri mbrojtësi sërish i Dortmundit, Mats Humels dhe në vend të tretë sulmuesi po i kampionëve, Robert Levandovski, me 95 vota. “Është një nder shumë i madh për mua. Nuk e mendoja që do e fitoja unë këtë çmim. Kjo më bën të ndihem krenar, pasi ky çmim të ngre moralin dhe të motivon të punosh më shumë”,- deklaroi fantazisti i Dortmundit, Marko Rojs, të cilit çmimi do i jepet para ndeshjes miqësore kundër Argjentinës, ditën e mërkurë. Ndërsa fituesi i çmimit në vitin e kaluar ishte portieri Manuel Nojer, i cili këtë herë zuri vendin e nëntë. çmimin debutuesi më i mirë i sezonit të kaluar u shpall Alaba. Ndërsa trajneri Jurgen Klop ka mbrojtur titullin. Me 496 vota, ai u shpall sërish trajneri më i mirë i vitit, duke lënë pas Lusien Favrenë me 138 vota, ndërsa vendin e tretë e zuri Kristian Shtrajsh me 101 vota. “Është nder i madh të konfirmosh dy herë radhazi të njëjtin çmim, i cili na jep forcë dhe respekt për punën tonë”,- deklaroi Klop, i cili la pas edhe trajnerin e kombëtares, Joakim Lëv, ku ky i fundit mori vetëm 5 vota dhe u rendit i nënti. Ndërsa për sa u përket futbollisteve, mesfushorja me origjinë kosovare, Fatmire Bajramaj zuri vendin e katërt me 40 vota, pasi lojtarja më e mirë për këtë vit u shpall Selia Akojino da Mbabi, me 206 vota.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"