Rivali i Laçit/ Ka ndryshuar emrin tetë herë dhe ka vetëm 23 vite histori, ja klubi moldav që sfidon kurbinasit në Ligën e Konferencës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2022 | 13:33

Rivali i Laçit/ Ka ndryshuar emrin tetë herë dhe ka vetëm 23 vite histori, ja klubi moldav që sfidon kurbinasit në Ligën e Konferencës

FC Petrokub Hinçesti është kundërshtari i Laçit në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Skuadra moldave është themeluar në vitin 1999 dhe suksesi më i madh që ka arritur është fitimi i Kupës së Moldavisë në sezonin 2019-2020.

petrokub

Në kampionatin e fundit e mbylli në vendin e dytë, duke qenë rival i Sherif Tiraspolit për titullin kampion. Petrokub përfaqëson qytezën e Hinçestit në Moldavi, që ka rreth 13 mijë banorë. Kjo skuadër i luan ndeshjet në stadiumin “Muncipal”, që ka 2672 vende të ulura.

Në turin e parë të Ligës së Konferencës moldavët eliminuan skuadrën malteze, Floriana. Interesant është fakti se ashtu si Laçi, edhe Petrokub e ka fanellën zyrtare me ngjyrat bardhezi.

Në 23 vite histori, klubi e ka ndryshuar plot 8 herë emrin, teksa kur u themelua quhej Petroklub Kondor Sarata Galbena.

Ndeshjen e parë ndaj Laçit moldavët do ta kenë në shtëpi më 21 korrik, teksa pritet të luhet në stadiumin “Zimbru” të kryeqytetit moldav, Kishinjev, duke qenë se impianti që ka në pronësi, nuk i plotëson kriteret e UEFA-s.

Kjo është hera e pestë në histori që Petrokub merr pjesë në kompeticionet ndërkombëtare. Më parë ka qenë tri herë pjesë e turit të parë të Ligës së Europës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"