“Rivalët duhet të garojnë për vendin e dytë”, Sefgjini: Boll më me blofe, Kastrioti kthehet me Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 26, 2020 | 17:52

“Rivalët duhet të garojnë për vendin e dytë”, Sefgjini: Boll më me blofe, Kastrioti kthehet me Korabin

Kastrioti pret që të thellojë shkëputjen. Edhe pse janë +6 nga Besëlidhja, në Krujë i kanë idetë e qarta: nuk duan më blofe. Ndaj Korabit do të luajnë vetëm për fitore, një ndeshje që po merr vlerësim maksimal. Një gjë të tillë e pohon edhe mbrojtësi i eksperiencës, Taulant Sefgjini, i cili për “Panorama Sport” analizon gjerë e gjatë ecurinë e deritanishme dhe objektivat.sefgjini-kruje-1024x682

“Në Shijak luajtëm me mjaft mungesa në formacionin titullar. Kjo ndikoi jo pak, ndonëse edhe ata që zbritën në fushë e bënë më së miri detyrën. E megjithatë, përshtatja bën të vetën. Ata nuk ishin 100 për qind të lidhur me pjesën tjetër, sikurse ndodh me futbollistët që kanë luajtur bashkë rregullisht. Mendoj se atë sfidë duhet ta kishim fituar dhe kështu do të kishim mbyllur edhe llogaritë njëherë e mirë. Megjithatë, ky është futbolli. Jo gjithmonë ai që luan më mirë merr pikët e plota. Tani të fokusohemi te Korabi.

Unë mendoj se dibranët kanë një ekip të mirë dhe duhen vlerësuar. Do jetë një duel i rëndësishëm, por për ne nuk ka rrugë tjetër veç fitores. Në këtë pikë të kampionatit edhe hapat falsë janë të ndaluar”, tha fillimisht ai.

Krutanët janë skuadra me mbrojtjen më të mirë në Kategorinë e Parë. Në 17 javë kampionat, ata kanë pësuar vetëm katër gola. Për Sefgjinin kjo është meritë e gjithë skuadrës: “Është e vërtetë që jemi skuadra që kemi pësuar më pak gola në këtë kategori, por kjo nuk është meritë vetëm e mbrojtjes. Është meritë e të gjithë grupit. Ne kemi një ekip me lojtarë mjaft të mirë, me eksperiencë dhe kjo na ka bërë që në çdo ndeshje të jemi dominues përballë çdo kundërshtari në çdo repart”.kastrioti

Në mbyllje pati një koment edhe për garën. “Fillimisht duhet të mbyllim me sukses ndeshjen e fundjavës me Korabin dhe më pas të mendojmë për fazën e tretë. Megjithatë, është një fazë që do ketë ndeshje më të forta, pasi do përballemi me tri ekipet më të mira që janë renditur pas nesh. Pavarësisht kësaj, unë mendoj se ne me grupin që kemi, do të vazhdojmë të mbajmë këto ritme. Ndërkohë që, rivalët duhet të luftojnë për vendin e dytë”, përfundoi Sefgjini.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"