Rinovon kapiteni i Teutës: Të ardhmen time e ka në dorë… presidenti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2018 | 17:32

Rinovon kapiteni i Teutës: Të ardhmen time e ka në dorë… presidenti

Arbër Çyrbja ka rinovuar kontratën me Teutën, por kjo nuk do të thotë se 24-vjeçari nuk mund të largohet nga bregdetarët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Çyrbja u shpreh se e ardhmja e tij është në dorën e presidentit, teksa nuk e fsheh dëshirën për një aventurë jashtë vendit.

Cyrbja

Arbër, mbyllët një sezon të vështirë me Teutën, por në fund objektivi u arrit. Mund të bëni një përkufizim të këtij kampionati?

Siç dihet, ne kishim objektiv tjetër kur e filluam sezonin, por gjatë javëve gjithçka mori një rrjedhë tjetër. Nuk mund të them se jemi të lumtur, por si shkoi gara, duhet të jemi të kënaqur pasi ishim ekipi që rrezikonim shumë. Gjithsesi, më vjen mirë që qëndruam dhe tani duhet të shohim përpara.

Në aspektin personal ky ishte një nga sezonet më të mira dhe ofertat nuk kanë munguar. Jeni i lumtur?

Kam punuar shumë dhe gjithmonë kam qenë i fokusuar vetëm në fushë, duke mos menduar për çështjet e tjera. Këtë edicion kam shënuar 7 gola, përveç asisteve dhe më vjen mirë që e kam ndihmuar skuadrën. Kur të vlerësojnë për atë që ke dhënë në fushë, gjithmonë ndihesh mirë dhe këto interesime të bëjnë të ndihesh mirë.

Ku do ta shohim Çyrbjen në sezonin e ri?

E ardhmja ime varet nga presidenti. Kemi biseduar dhe kemi gjetur një marrëveshje. Unë jam nën kontratë, por nëse vjen oferta e duhur, mund të largohem. Gjithsesi, ai që vendos është presidenti.

Teuta ka edhe një trajner të ri në stol, i cili është Bledi Shkëmbi…

Bledi është një futbollist që ka bërë diferencën në kampionatin shqiptar dhe te Liria tregoi se mund të bëhet një trajner i zoti, ashtu siç ka qenë edhe lojtar. Besoj dhe shpresoj të bëjë një punë të mirë dhe Teuta të ngrihet në nivelin që meriton. Ai e njeh mirë këtë ambient, pasi dikur ka qenë lojtar dhe kjo besoj se do t’i shërbejë. Do të ketë një merkato cilësore për të ndërtuar një ekip kompetitiv dhe shpresoj që këtë sezon mos kënaqemi me pak.

D.Xhepollari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"