Resuli paralajmëron një surprizë në Shkodër: Flamurtari me Vllazninë si të barabartë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 11:16

Resuli paralajmëron një surprizë në Shkodër: Flamurtari me Vllazninë si të barabartë

Flamurtari do të tentojë sot të surprizojë Vllazninë në Shkodër. Trajneri Dritan Resuli deklaroi dje për “Panorama Sport”, se kjo ndeshje mban aromë Superiore dhe se kuqezinjtë do të bëjnë gjithçka për kualifikimin.

RESULI

“Dihet përgjegjësia e çdo ndeshjeje që luan Flamurtari. Ne e kemi në ADN që ekipi në fushë futet gjithmonë për të marrë maksimumin. Kjo gjë nuk diskutohet dhe ky është një mentalitet i lindur dhe i trashëguar, sepse dihet se kush është Flamurtari. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë ndeshje, sepse luajmë në të dyja frontet, kupë dhe kampionat. Kupa është prestigj, pasi është një ndeshje me aromë Superioreje. Flamurtari është ndërtuar për elitë. Përgjegjësia jonë dhe e lojtarëve është që të shkojmë në Shkodër dhe të ballafaqohemi si të barabartë. Duhet të mbajmë lojtarët më në formë të kampionatit. Organika është e plotë, do të përzgjedhim ata lojtarë që kanë kondicionin më të mirë”, ka thënë fillimisht Resuli.

MERKATO – Trajneri i Flamurtarit është i kënaqur me merkaton e deritanishme. “Kemi rënë dakord me drejtuesit e klubit se duhen lojtarë që mbajnë peshën dhe që marrin përgjegjësi. Këto emra që ne kemi afruar, si për shembull Idriz Batha, që e njeh terrenin dhe ka një CV të pasur. Sulmuesi peruan, La Torre, e ka provuar veten, por të vetmin problem që ka, ndoshta janë terrenet. Ai vjen nga Superiorja në Kategorinë e Parë. Vetëm në dy fusha luajmë komod. Na ka ardhur një lojtar tjetër nga Suedia, edhe ai me eksperiencë. Gjithashtu kemi afruar një lojtar shumë të mirë në sulm si Vasil Shkurtaj. Jemi në bisedime edhe për një qendërmbrojtës. Në përgjithësi është mbushur organika e lojtarëve që kemi, pak a shumë edhe rolet i kemi të dubluara nga mbrojtja në sulm”, deklaroi trajneri i kuqezinjve.

NDRYSHIMI – Resuli mendon se Flamurtari ka ndryshuar, por sipas tij duhet pak kohë për të shkuar tek ajo që kërkohet nga të gjithë. “Ekipi po ndryshon. Ndryshimi ynë kryesor është që ne të shkojmë shumë shpejt te porta e kundërshtarit. Humbasim raste, patjetër, por kjo skuadër më kënaq. Duhet të jemi të motivuar. Për të shkuar te suksesi duhet një punë voluminoze, por edhe lojtarë. Ata që kanë ardhur, normalisht që duan kohën e duhur që të përshtaten”.

SISTEMI VAR – Në fund Resuli iu kthye ndeshjes me Apoloninë, ndërsa vijon të ketë mëdyshje për penalltinë e fierakëve. “Në Fier kemi humbur dy pikë. Pa u marrë me pjesën e arbitrimit apo me ndonjë faktor të jashtëm, që ishte në disfavorin tonë. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, kaluam të parët në avantazh. Brenda një minutazhi të shkurtër jemi ndëshkuar me një penallti. Ndeshjet janë të filmuara, sistemi VAR duhet të futet edhe në kategorinë tonë, që ne të marrim ato “kusure” që kemi dhe në bazë të gabimeve të përmirësoheni javë pas javë. Pra, të shkojmë aty ku duhet. Rastet e shpërdoruara na kanë penalizuar sigurisht, por në çdo aspekt tjetër ne kemi qenë superiorë”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"