Resuli: Nuk tolerohen gabimet ndaj Besës, rezultati i Flamurtarit në Kupë… vret

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2024 | 11:41

Resuli: Nuk tolerohen gabimet ndaj Besës, rezultati i Flamurtarit në Kupë… vret

Flamurtari pret sot në orën 13:30 Besën, në një ndeshje tejet të vështirë. Dritan Resuli e pranon që nuk do të jetë e lehtë, por ndalon gabimet. Edhe pse trajneri do i bëjë llogaritë pa Denis Pjeshkën, Behar Ramadanin dhe Marko Kriviçiç të dëmtuar, nuk sheh gjë tjetër veç fitores. Këtë javë i kthehet Idriz Batha, ndërsa Vasil Shkurtaj është programuar si titullar.

RESULI

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira dhe të gjitha vlejnë tri pikë. Në këtë pozicion që jemi nuk na lejohet më asnjë gabim. Do kemi dy ose tre mungesa nga dëmtimet. Nuk duam që të sakrifikojmë dhe të kalojmë në stërmundime të tepruara, kur kemi futbollistë të tjerë që kthehen. Grupi është i plotë, jo më kot është bërë edhe ky investim dhe organizim. Ne luajmë për tifozët dhe shpresojmë që të kemi mbështetje maksimale nesër (sot), edhe pse është ditë e hënë. Zona e ngjitjes? Elbasani dhe Bylisi janë +8 pikë. Nuk e di se si është ndërtuar kjo lloj diference, pasi ne gjatë gjithë kohës kemi bërë paraqitje shumë të mira. Grupi i lojtarëve të jep besim për të arritur atë objektiv që kemi, kështu që dua të them se janë rivalë në pikë, por jo në cilësi te pjesa që ne kemi dhe trajnojmë” tha fillimisht numri një i stolit kuqezi.

Nuk kishte si të mos ndalej te humbja në kupë, ku u pësuan 4 gola.

“Flamurtari nuk është ekipi që të pësojë kaq shumë gola. Nuk dua që t’i kthehem, por gjurmë negative lë. Ne kemi shumë lojtarë në dispozicion dhe detyrimisht duhet t’i ingranojmë. Në atë ndeshje ne jemi ndëshkuar me dy penallti në momentet më të mira që kishim. Por nuk dua të thur alibi për këto situata që kaluam. Në fund mund të shikohet rezultati. Ai është që të vret, por mendoj se me profesionalizëm e kemi tejkaluar”, përfundoi Resuli.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"