Repaj i bindur: Apolonia e mbyll sezonin në katërshen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 14:11

Repaj i bindur: Apolonia e mbyll sezonin në katërshen e parë

Apolonia vjen sot përballë Elbasanit në formën e vet më të mirë të mundshme. Artan Mërgjyshi pritet ta ketë skuadrën e plotë, me përjashtim të mesfushorit të krahut të majtë Jasin Umar Rajab, i cili është i dëmtuar. Apolonia do të kërkojë fitoren e parë kundër Elbasanit teksa do të përballet në transfertë me elbasanasit.

repaj apolonia

Sot në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, pritet një duel i dyluftuar në kuadër të javës së 29-të të Kategorisë së Parë. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, qendërmbrojtësi i Apolonisë, Serjan Repaj është shprehur se skuadra e tij do të kërkojë maksimumin kundër Elbasanit.

Serjan, luani në transfertë me Elbasanin, si e shikoni këtë ndeshje?

Do të jetë një përballje shumë e fortë dhe e dyluftuar, pasi të dy ekipet janë të uritur për pikë. Ndonëse me objektiva krejtësisht të kundërt, ata kërkojnë të sigurojnë menjëherë Superioren dhe njëkohësisht të jenë në vendin e parë në renditje, ndërsa ne duam të ngjitemi në vendin e katërt. Kemi qëllimet dhe synimet tona, por duhet të marrim parasysh faktin se duhet të japim më të mirën tonë për të marrë rezultatin që ne kërkojmë.

Çfarë rezultati kërkon Apolonia në këtë takim?

Në çdo ndeshje, Apolonia hyn në fushë për të marrë maksimumin e pikëve. Prandaj edhe ky takim nuk bën përjashtim. Do të shkojmë për të dhënë më të mirën tonë në këtë takim dhe të marrim atë që meritojmë në bazë të paraqitjes sonë. Jemi në gjendje shumë të mirë dhe po punojmë për të treguar vlerat tona. Do të mundohemi të jemi një ekip me balancë në dy fazat e lojës.

Si shkon Apolonia në këtë ndeshje, kaq të rëndësishme?

Ne gëzojmë një formë shumë të mirë dhe jemi munduar t’i shfrytëzojmë ditët që kemi pasur në dispozicion për ta përgatitur më së miri këtë 90-minutësh. Kemi qenë edhe të motivuar në këto ditë përgatitjesh dhe mendoj që do të bëjmë më të mirën tonë. Është një ndeshje me luftë të ashpër sportive dhe si e tillë nuk është e vështirë të motivohesh. Prandaj presim me besim një rezultat pozitiv.

I druheni sulmit të Elbasanit?

Elbasani nuk ka vetëm repartin e sulmit cilësor, por është një ekip që luan shumë mirë në grup. Ne do të mundohemi të zhvillojmë lojën tonë ashtu siç përpiqemi të bëjmë gjithmonë ndaj çdo kundërshtari. Apolonia ka treguar se mund të përballojë këdo, madje edhe duke treguar superioritet në lojë dhe rezultate. Respekt për sulmin e tyre, por ne kemi një nga mbrojtjet më të mira dhe më solide të kësaj kategorie.

Besoni tek arritja e vendit të katërt në renditje?

Kemi treguar në ndeshjet e deritanishme se cilësitë i kemi, por na duhet të kalojmë me sukses pesë javët e mbetura të kampionatit. Janë edhe pesë finale për këtë objektiv dhe duhet t’i marrim një e nga një për të qenë pjesë e katër ekipeve më të mira të kampionatit. Ta fillojmë nga ndeshja me Elbasanin, që për ne është shumë e rëndësishme. Jemi thuajse të sigurt në “play off”, por edhe nuk duhet të mbingarkojmë veten për katërshen e parë, pasi jemi shumë, po shumë afër Vorës, e cila mban vendin e katërt në renditje. Deri në javën e fundit, ne do të tentojmë të jemi pjesë e katër ekipeve të para.

ap

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"