“Reagojmë shumë vonë pasi pësojmë”, Shkëmbi: Sulmuesit e Teutës duhet të shënojnë, por duhen përmirësuar edhe…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 19:12

“Reagojmë shumë vonë pasi pësojmë”, Shkëmbi: Sulmuesit e Teutës duhet të shënojnë, por duhen përmirësuar edhe…

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, foli për mikrofonin e “Supersport” pas barazimit me Tiranën.

shkembi

Shkëmbi u shpreh se ekipi reagoi pas golit të pësuar, dhe besoi deri në fund, por nga ana tjetër ka një thirrje për lojtarët e tij që të përmirësohen ende më shumë, dhe jo vetëm sulmuesit.

Barazim që besuat deri në fund dhe e morët. Rezultat i drejtë?

Nuk më pëlqen pyetja rezultat i drejtë apo jo. Jam i kënaqur që barazuam, ashtu si shkoi loja. E nisëm shumë mirë, në momentin e parë që gabuam, e pësuam. Patëm disa momente jo të mira. Jam i kënaqur me luftën që bënë çunat për të barazuar.

Do i kërkoni presidentit një sulmues?

Deri në janar ka kohë. Shpresoj që sulmuesit që kemi të ndryshojnë, por jo vetëm ta. Të kenë besimin për të shënuar, dhe do punojmë më shumë që të përmirësohen.

Ku mund të përmirësohet më shumë Teuta?

Mendoj se bëmë mirë në 20 minutat e para, patëm momentet tona dhe nuk shënuam. Në ndeshje me rival direkt, është e sigurt se nëse nuk shënon, e pëson, siç na ndodhi ne. Më pëlqeu sot skuadra, për mënyrën si kërkonte të luante. Nuk harrojmë që luajtëm ndaj një Tirane shumë të mirë, me lojtarë cilësorë. Më erdhi mirë që besimi i skuadrës u shpërblye me atë gol.

A ju shqetëson hendeku i minuta, kur skuadra bie dhe ngrihet sërish? A duhet të jeni në një ritëm?

Po të jap një përgjigje si ish-futbollist. As unë nuk luaja njësoj nga minuta e parë deri në 90. E drejtë që nuk duhet të kemi ulje-ngritje gjatë lojës, por nuk besoj se ishim shumë minuta dobët. Për mua ka rëndësi që nuk duhet të harrojmë kundërshtarin. Ata kanë cilësi dhe në disa momente na vënë në vështirësi.

Linja e dytë e sulmit duhet të bëjë më shumë për golin…

E drejtë, edhe unë këtë mendoj. Duket që kemi probleme me sulmuesit, por edhe mesfusha apo mbrojtësit e krahut, duhet të jenë më afër portës. Duhet të kenë besimin për të shënuar. Një nga lojtarët që luajnë në sulm, sikur të kishin shënuar 1-2 gola, do ishin përkthyer në pikë.

Tirana gjuajti 3 herë për të shënuar, dhe ekipi i Teutës reagoi me vonesë. A mund të korrigjohet diçka këtu? Pas golit, vuajtët më shumë minuta se për një ekip pretendent…

Jam dakord që pas golit, dhe kjo nuk është ndeshja e vetme, reagojmë me vonesë, ose ndonjëherë nuk reagojmë fare. Sa i përket pësimit, ato janë edhe instikte të lojtarëve, është sekondë që duhet të reagosh më shpejt. Edhe fati ka të bëjë se ku shkon topi.

Fati ishte me ju në fillim, priti Frashëri, pastaj shkoi gol…

E drejtë, fati pas shtyllës nuk ishte më me ne, por me ata, sepse shkoi te lojtari i tyre. Këto momente ndodhin, dhe duhet të rregullojmë gjëra të tjera. Ai moment më shumë është fat.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"