Rashiti e mbyll me Kukësin, edhe një tjetër sulmues drejt largimit nga verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2023 | 9:10

Rashiti e mbyll me Kukësin, edhe një tjetër sulmues drejt largimit nga verilindorët

Kukësi po vuan në sulm. Mjafton të thuhet se në dy ndeshjet e fundit nuk ka shënuar, duke u ndalur në barazime pa gola me Teutën dhe së fundmi me Erzenin. Rezultate që e kanë mbajtur të pandryshuar klasifikimin, pasi bëhej fjalë për duele direkte sa i përket mbijetesës.

kukesi

Në këtë situatë, kritikat shkojnë në fazën ofensive dhe për më tepër te sulmuesit. Ose të paktën duhet të shkonin, sepse te Kukësi ka probleme me dy prej sulmuesve kryesorë të skuadrës, me situata të rrethuara nga misteri dhe është e vështirë t’u kërkosh llogari atyre që nuk po… luajnë.

SULMUESIT – I pari është Atdhe Rashiti, që mund të thuhet se e ka mbyllur me Kukësin dhe në janar me shumë gjasa del në shitje dhe mund të largohet nëse në drejtim të klubit vjen një ofertë e kënaqshme. Ai ka pasur përplasjet e tij me trajnerin Stavri Nica pak javë më parë dhe mesa duket nuk ka më kthim prapa, në një kohë që ekipi edhe këto dy ndeshje të mbetura të këtij viti do të bëjë pa 24-vjeçarin në fushë.

rashiti

I dyti është Sebastian la Torre. Akoma edhe më e paqartë është situata me golashënuesin e ekipit, i cili ka realizuar katër gola me blutë deri më tani. Përpos faktit që në pjesën dërrmuese të rasteve është përdorur si alternativë nga Nica, peruani në përballjen e fundit nuk ishte as në pankinë, për t’i dhënë të paktën një ndihmë skuadrës në fazën ofensive. Nga ana e klubit nuk raportohet për ndonjë dëmtim të tij, ndërsa gazeta kontaktoi vetë sulmuesin për arsyen e kësaj mungese, por nuk mori përgjigje.

la torre

Për këtë arsye, ekipi ka mbetur me vetëm një sulmues të deklaruar, siç është Mario Beshiraj, i cili po përpiqet të bëjë “pykën” në këtës kuadër.

MESAZHI I KODUAR – Teksa zhvillon stërvitje në palestër, Sebastian la Torre “kujdeset” që të japë edhe një mesazh të koduar, ndoshta për të përjetuar momentin jo të mirë që po përjeton.

Për këtë arsye përdor rrjetet e tij sociale, duke shkruar: “Duhet të heq dorë? Rashë, më tradhtuan, humba njerëzit që doja, vuajta. Kam ulur performancën time, kam humbur nivelin tim. Isha vetëm në momentet e mia më të këqija. Dhe ja ku jam, jam ende në këmbë…”, shkruan La Torre, i cili nuk dihet nëse e ka thjesht në përgjithësi për situatën që pokalon apo një shigjetim për faktin se nuk po preferohet më në skuadër.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"