“Rashica s’do priste De Biazin, plane bënte vetëm Enver Hoxha”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2016 | 10:24

“Rashica s’do priste De Biazin, plane bënte vetëm Enver Hoxha”

“Rashica nuk mund të presë planin 5-vjeçar të De Biazit, sepse dëshiron të luajë futboll. Planet i bënte vetëm Enver Hoxha…”. Faruk Sejdini është gjithnjë i njëjti me batutat e tij.

sejdini

Ish-trajneri i mirënjohur, i cili për disa vite ka qenë edhe zv.trajner i Kombëtares, në një bisedë për “Panorama Sport” jep opinionin e tij për çështjen më të fundit te kuqezinjtë: largimin e disa lojtarëve nga Kosova.

Sipas “Xhaxhit”, situata te Shqipëria rrezikon të bëhet edhe më e rëndë. Për Sejdinin, nuk duhet lidhur patriotizmi me futbollin. Sejdini, ju keni qenë shumë kritik ndaj prurjeve të shumta në Kombëtare që nuk janë prodhim vendës.

Si e gjykoni situatën e krijuar gjatë ditëve të fundit, kur nga Shqipëria kanë ikur disa lojtarë kosovarë?

Sa më shumë do të kalojë koha, aq më keq do të bëhet situata me ne. Nuk do të jetë më në favorin tonë, sepse lojtarët do të ndahen në dy pjesë. Pjesa dërrmuese e lojtarëve që janë përdorur nga ekipet Kombëtare është formuar jashtë dhe shumica prej tyre kanë prejardhje nga Kosova.

Përderisa në Shqipëri nuk ka prodhim, është e natyrshme që situata do të vijë duke u vështirësuar. Është shpejt të mendojmë se do të ndodhë ndonjë e keqe e madhe, por nëse largimet vazhdojnë me këto ritme mund të jemi në rrezik.

Flasim pak për emra të veçantë. Milot Rashica përflitet si një nga talentet më të mëdhenj shqiptar. Gaboi De Biazi që nuk e mori në Europian apo lojtari u nxitua duke zgjedhur Kosovën?

MilotRashicainactieinhetshirtvanAlbani----700x467

Problemi është që duhet të pranojmë se të gjithë lojtarët janë njerëz dhe kanë ndjenja. Të gjithë lojtarët i kanë kaluar këto kohë. Edhe unë, në rast se nuk do më donte Tirana kur isha 18 vjeç, do të zgjidhja një skuadër tjetër.

Në rast se De Biazi do ta kishte marrë në Europian, ai do të kishte mbetur këtu te ne. Megjithatë, unë nuk e shoh zgjidhje këtë. Nuk ka rëndësi nëse Rashicën e morëm ne apo Kosova. Për mua, zgjidhje është investimi për futbollin vendës.

A rrezikohemi në të ardhmen, duke qenë se lojtarët mund të largohen drejt Kosovës në rast se nuk u plotësohen kërkesat në Kombëtaren tonë?

Ky është interesi personal i çdo lojtari. Në rast se ai sheh që në ekipin e Shqipërisë është i 18-ti në listë, do të shkojë te një skuadër ku të jetë i 11-ti. Kjo është pjesë e egos personale, sepse këtu në Shqipëri e ngatërrojnë me patriotizmin. Ku ka më patriotizëm në futboll, kur te Gjermania luajnë lojtarë me ngjyrë.

Mendoni se edhe Kosova gaboi që e ftoi Rashicën, pasi De Biazi tha që “E kam në plane për eliminatoret e Botërorit”?

De Biazi është një rrogëtar dhe vjen këtu për të fituar lekë dhe, më vonë, do të ikë siç janë larguar gjithë të tjerët. Ai paguhet dhe për atë pagesë do të krijojë reputacionin e vet dhe ia ka arritur.

De Biazi nuk mund t’i ketë planet pa mbarim, pasi e kishte në plane dhe e harroi. Rashica nuk mund të presë planin 5-vjeçar të De Biazit, sepse dëshiron të luajë futboll. Planet i bënte vetëm Enver Hoxha…

Sipas jush, De Biazi duhet ta menaxhonte më mirë situatën?

Largimi Gjimshiti Rashica

De Biazi deri tani kishte një grup lojtarësh dhe kishte privilegj për të zgjedhur, ndërsa në të ardhmen nuk do ta ketë diçka të tillë. Lojtarët kanë dy opsione dhe tani vështirësohet puna.

Po bashkëpunimin mes federatave si e shihni?

Do të lindin shumë shpejt kontradikta dhe do të ketë përplasje, sepse secila prej federatave dëshiron më të mirën për vete. Secili kërkon që të hajë lopata nga krahu i vet.

Federata kosovare do të kërkojë të nderohet me lojtarët e saj, ndërsa edhe shqiptarët do vazhdojnë të njëjtën histori. Më duket një lojë e pakuptimtë. Ne kërkojmë t’i kemi gjërat gati, prandaj do të vuajmë në të ardhmen.

Shqipëria duhet të marrë masa sa më shpejt…?

Sigurisht që po. Në rast se nuk rrisim prodhimin vendës në aspektin e futbollit, s’do të kemi të ardhme. Nuk shtohet fuqia e futbollit pa prodhim vendës, duke menduar se prodhon Italia për ne, prodhon Kosova për ne, prodhon Zvicra për ne.

Po Kosovën si e shihni në të ardhmen?

Do të ndërtojë një ekip shumë të fortë. Për ta lënë mënjanë aspektin politik, Kosova ka mësuar nga shkolla serbe dhe do të jetë shumë më e fortë. Një miks mes shpirtit shqiptar dhe shkollës serbe do ta ndihmojë Kosovën për të qenë një skuadër shumë e fortë. Për më tepër ata kanë emigruar më shpejt se ne si popullsi dhe kanë alternativa më shumë nga jashtë vendit.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"