Ramos do të tentojë mrekullinë, Reali ankth para Interit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 20:11

Ramos do të tentojë mrekullinë, Reali ankth para Interit

Reali i Madridit barazoi në “La Cerami ca” dhe si në të gjitha ndeshjet ku Reali nuk fiton, analiza është negative. Për faktin se skuadra ra në pjesën e dytë, sepse vazhdon të humbasë pikë në La Liga, sepse nuk ka një ide të qartë loje, sepse është një zhgënjim më shumë për tifozët në këtë vit të vështirë.

Sergio-Ramos

Por mes errësirës dhe hijeve të shumta, ka dritë. Ka shpresë për përmirësim në të ardhmen. Dhe e ardhmja më e afërt është Interi. Në transfertën me Vijarealin, të paktën në 45 minutat e para, Reali nuk la ndonjë shije të hidhur në fushën e lojës. Në shumicën e lojës nxirrte topin me pasime nga mbrojtja. Mesfusha e përbërë nga Kros, Modriç dhe Odegard kontrolluan topin, bënë aksione interesante, shumë pasime dhe ishin të vendosur mirë.

Të tre mesfushorët me njëri-tjetrin kryen 60 pasime. Kjo bëri që madrilenët ta kontrollonin topin dhe ta rikuperonin shpejt atë. Norvegjezi bënte presing, ndërsa Kros dhe Modriç rikuperonin më të tërhequr. Të dy bashkë rikuperuan nga 12 topa. Zidan e largoi Odegardin në minutën e 65-të dhe që atëherë, Reali nuk e mori më kontrollin në mesfushë.

KARVAHAL – Reali u rikthye nga kjo ndeshje me lajmin e mirë për rikthimin e Karvahalit në fushën e lojës. U rikthye sikur të mos kishte munguar asnjëherë. Për më tepër ai dha asistin e golit pas 2 minutash lojë për Mariano Diazin.

Për ndeshjen në “San Siro”, Zidan rikuperon Karvahalin, i cili është një garanci. Të paktën nuk do t’i duhet të bëjë eksperimente për të gjetur një mbrojtës të majtë. Rafael Varan, gjithashtu bëri një ndeshje pozitive. Edhe pa Ramosin ai ishte lideri i mbrojtjes.

HAZARD – Prezenca e Eden Hazardit në formacionin titullar kundër Vijarealit ishte surpriza e trajnerit Zinedin Zidan. Belgu luajti nga minuta e parë, pavarësisht se vinte pas 14 ditësh karantinim për shkak të Koronavirusit. Nuk shkëlqeu dhe ishte zhgënjim i ndeshjes.

Pavarësisht besimit që i dha trajneri Zidan, ai vazhdon të jetë hija e vetvetes në Madrid. Që nga viti i kaluar ai ka vuajtur prej dëmtimeve të shumta. Të gjithë besojnë se viti 2021 do të jetë viti i Hazardit, por për momentin ai është zhgënjim.

DËMTIMET DHE MBROJTJA – Zidan nuk kishte për ndeshjen kundër Vijarealit lojtarë si Joviç, Benzema, Ramos, Militao, Kasemiro, Valverde dhe Odriozola. Ende nuk e di se sa prej tyre do të rikthehen për duelin ndaj Interit, por Benzema, Militao dhe Kasemiro janë kandidatët për t’ia dalë.

Brazilianët sapo kanë kaluar Koronavirusin dhe nuk janë në formë optimale. Mbrojtja e Realit nuk është më pika më e fortë dhe skuadrat e tjera shënojnë me lehtësi. Vitin e kaluar, Zinedin Zidan ngriti një “mur” të pakalueshëm, i cili këtë herë duket i shembur.

RAMOS TENTON – Ditën e djeshme Karim Benzema ka punuar sërish i veçuar nga grupi dhe jo me pjesën tjetër. Kjo do të thotë se prezenca e tij për duelin me Interin në Champions nuk është e sigurt, edhe pse ai duhet të jetë patjetër. Por ai që do të tentojë mrekullinë është Serxho Ramos.

Kapiteni e di që ekipi ka nevojë për të në këto momente të vështira dhe do të bëjë gjithçka për të qenë në fushën e lojës. Nuk dihet nëse kjo është strategji e Realit për të prishur planet e Kontes apo realisht spanjolli mund të udhëtojë me skuadrën drejt Milanos.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"