Qendërmbrojtësi ikën nga Vlora, Flamurtari nuk nxitohet për “divorcin”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2023 | 13:02

Qendërmbrojtësi ikën nga Vlora, Flamurtari nuk nxitohet për “divorcin”

Antonio Ilieski ikën nga Vlora. Mbrojtësi i qendrës duket se e ka mbyllur para kohe aventurën e tij te Flamurtari. Ai është nisur në Maqedoninë së Veriut, ku edhe jeton. Burime pranë klubit vlonjat konfirmojnë për “Panorama Sport”, se 27-vjeçari pritet që t’i nënshtrohet një operacioni në vendlindje.

ILIESKI

Sikundër edhe është raportuar më herët ai ka pubalgji. Pasi iu nënshtrua një kontrolli, u konstatua edhe shqetësimi që kishte. Gjatë kësaj kohe ai ka kryer vetëm stërvitje i diferencuar nga skuadra, por ditët e fundit ka ndier dhimbje. Kjo ka bërë që mjekët t’i rekomandojnë ndërhyrjen kirurgjikale.

Ai ka vendosur që operacionin ta zhvillojë në Maqedoninë e Veriut. Rikuperimi i tij do të jetë i gjatë, e megjithatë për momentin drejtuesit nuk po nxitohen me “divorcin”.

Do të presin që të kryejë ndërhyrjen dhe se çfarë do të thonë mjekët. Megjithatë, duket se largimi i Ilieskit do të jetë i pashmangshëm në këtë situatë.

Ai erdhi në Vlorë si një blerje cilësore, ndërsa sezonin e shkuar luajti te Kukësi në Superiore. Mbrojtësi ka qenë pjesë edhe e disa skuadrave në Maqedoni si Makedonija, Gostivari, Korabi Debar dhe Ranova.

VUCAJ – E ndërsa Antonio Ilieski nuk ia doli dot, lajme të mira vijnë për Erjon Vucajn. 32-vjeçari u dëmtua më 24 shtator në ndeshjen me Vorën, që u luajt në stadiumin “Flamurtari”.

Pas një përplasje me Tabakun, shkodrani la fushën pas vetëm 4 minutave lojë. Dëmtimi i tij ishte në gju që prej dy javësh po e mban larg fushës së lojës. Megjithatë, ai po stërvitet me grupin dhe tashmë është grumbulluar në stol nga trajneri Emiljano Çela. Ai ka qenë në dispozicion edhe për ndeshjen me Tomorin.

BEJI – Hallet për vlonjatët nuk ndalen, sidoqoftë. Përpara ndeshjes me Tomorin, ka shfaqur shqetësime Antoni Beji. Dyshohet për një problem muskulor dhe ishte ky shkaku që sulmuesi nuk u grumbullua për ndeshjen e javës së 11-të të Kategorisë së Parë.

Afrikani pritet që të bëjë një kontroll mjekësor, për të parë konkretisht gjendjen. E megjithatë, mendohet që mos nuk do ta penalizojë për një kohë të gjatë. Në ditët në vijim do të shikohet më konkretisht situata e tij. Kohën e ka në favor, pasi kampionati rifillon më 22 nëntor dhe ka ditë mjaftueshëm në dispozicion për t’u rikuperuar.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"