“Qëllimi nuk ndryshon”, flet zëvendës trajneri Endri Vrapi: Teuta do bëjë gjithçka për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2018 | 17:22

“Qëllimi nuk ndryshon”, flet zëvendës trajneri Endri Vrapi: Teuta do bëjë gjithçka për…

Në javën e fundit të fazës së dytë, bregdetarët nuk shkuan më shumë se një pikë përballë skuadrës së Laçit. Një ndeshje me dy fytyra për “djemtë e detit” në mbrëmjen e të shtunës, ku dhuruan një pjesë të parë jo në nivelin e pritshmërisë dhe më pas për të ndryshuar në 45-minutëshin e dytë, ku gjetën dhe golin e barazimit.

Në një intervistë për “Panorama Sport’ zëvendëstrajneri Endri Vrapi flet për rrjedhën e takimit përballë kurbinasve dhe pikën e marrë.

endri vrapi teuta stoli

Një ndeshje me dy fytyra përballë Laçit. Çfarë nuk funksionoi në pjesën e parë?

Besoj se në pjesën e parë na mungoi diçka dhe nuk e filluam ashtu siç ne jemi mësuar të hyjmë në ndeshjet e tjera. Pavarësisht dëshirës së lojtarëve tanë, na mungoi grinta dhe thuajse çdo dyluftim e humbëm. Nuk shkoi ashtu siç ne e kishim menduar dhe do donim ta interpretonim atë pjesë të parë dhe u ndëshkuam.

Një pjesë e dytë tërësisht dominuese. Çfarë i mungoi Teutës që të merrte diçka më shumë nga ky takim?

Në pjesën e dytë normalisht duhej të ndryshonim patjetër lojën, rimtin dhe grintën që shfaqën në pjesën e parë. Lojtarët ishin më të motivuar dhe jam i bindur që ata dhanë maksimumin për të përmbysur rezultatin dhe për të marrë maksimumin nga takimi. E dominuam vazhdimisht, ndoshta na mungoi dhe fati, por dhe goli erdhi në minutat e fundit.

Duke parë rëndësinë që kishte ky takim, ju kënaq kjo pikë?

Të jem i sinqertë, askush nuk kënaqet me pak, por në situatën apo mënyrën si e kërkuam rezultatin në pjesën e dytë, në rast se do të fitonim nuk mendoj që do vidhnim gjë. Përfundimi i ndeshjes u shkoi për shtat të dyja skuadrave në fund.

Pas ndeshjes u pretendua se goli i Shtubinës ishte në pozicion të parregullt. Keni diçka për të thënë?

Personalisht, por edhe si staf, ne nuk komentojmë asnjëherë gjykimin. Janë organet kompetente që merren me diçka të tillë.

Flasim pak për këtë Teutë në këtë gjysmë të parë të sezonit. E prisnit një ecuri të tillë në fillim të sezonit?

Në fillim ishte një projekt i ri, por shumë serioz. Te skuadra dhe presidenca ka pasur gjithmonë besim për rezultate pozitive dhe ecuri të mirë. Si staf jemi shumë kërkues brenda çdo norme futbolli për ato që na servir grupi ynë. Është bërë një punë e madhe dhe mbi të gjitha shumë serioze nga të gjithë dhe kjo është pika jonë e fortë. Duke pasur grupin e shëndetshëm, të përqendruar dhe kërkues, rezultatet nuk kanë munguar. Gjej rastin për të falënderuar dhe gjithashtu për t’i përgëzuar të gjithë djemtë për kontributin e tyre dhe seriozitetin e treguar.

Personalisht, si do ta përshkruanit këtë eksperiencë deri tani këtu?

Është një eksperiencë e veçantë dhe shumë e bukur deri tani. Akoma dhe më të bukur e bëjnë rezultatet, ecuria dhe pozicioni ku ne jemi në klasifikim. Por, jemi të vetëdijshëm që një pozicion i tillë është më i vështirë të ruhet sesa të fitohet. Jam i lumtur që jam këtu dhe ne do punojmë akoma dhe më shumë për të plotësuar objektivat tanë me rigorozitet dhe fanatizëm.

Tani skuadra merr pushimet. Çfarë prisni në gjysmën e dytë të sezonit nga kjo skuadër simpatike?

Tani që është mbyllur gjysma e parë e kampionatit, shihet puna jonë e bërë dhe po marrim frytet e një pune të nisur që në korrik. Normalisht nuk kemi bërë ende asgjë, pasi janë edhe dy faza të tjera, pra edhe një gjysmë tjetër kampionati. E dimë që asgjë nuk do jetë e lehtë dhe gjërat tani hyjnë në fazën më interesante. Presim që në këtë merkato të plotësohemi me ndonjë futbollistë cilësor. Gjithsesi, do jetë një rrugë e gjatë deri në fund dhe ne do luftojmë në çdo ndeshje për Europën ose për titullin.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"