Qaqi largohet nga Laçi, do të vijojë karrierën në Greqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2017 | 14:10

Qaqi largohet nga Laçi, do të vijojë karrierën në Greqi

Mbrojtësi Harrallamb Qaqi është largimi i parë nga klubi i Laçit. “Panorama Sport” mëson se gjatë ditëve të fundit shtatlarti ka bërë një bisedë me presidentin Laska, duke arritur konsensusin për prishjen e marrëveshjes. Qaqi ka qenë një ndër lojtarët më të rëndësishëm për Laçin në sezonin e fundit.Qaqi

Mbrojtësi ka luajtur 35 ndeshje dhe ka arritur të shënojë 2 gola. Në shumicën e takimeve të kampionatit, shtatlarti ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai ka qenë i detyruar të largohet nga Laçi për shkak se i duhet të kryejë shërbimin ushtarak në Greqi.

Gjasat janë që ai të vazhdojë karrierën në shtetin fqinj, por kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim. Qaqi ka luajtur në të kaluarën në Itali dhe dy vite më parë iu bashkua Partizanit, por pa mundur të tregojë vlerat e tij, pasi hapësirat te të kuqtë kanë qenë të pakta.Qaqi

Megjithatë, sezoni 2016-2017 ka qenë i jashtëzakonshëm për qendërmbrojtësin, që u kthye në liderin e Laçit. Përveç Qaqit, tashmë mbetet për t’u parë nëse do të ketë të tjera largime nga kurbinasit.

Braziliani Serxhio Zhunior është një tjetër futbollist që ndoshta nuk do të vazhdojë karrierën te kurbinasit, pasi ai u huazua vetëm për pjesën e dytë të sezonit, duke qenë nën kontratë me klubin e Skënderbeut.

Gjithsesi, presidenti Laska pritet që në muajin qershor të ulet me lojtarët që u përfundon kontrata dhe të hedhë piketat e para në prag të sezonit të ardhshëm. Pritet që Laçi të jetë shumë më ndryshe se sezoni i kaluar, ku arriti të sigurojë mbijetesën në Kategorinë Superiore vetëm në ndeshjen e fundit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"