Punimet në stadium, Laçi mbyll vitin jashtë fushe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 22:42

Punimet në stadium, Laçi mbyll vitin jashtë fushe

Laçi, nga një shembull për mirëmbajtjen e fushës së stadiumit, është përfshirë nga problemet terrenin, i cili ka degraduar së fundmi. Ndaj drejtuesit e klubit e kanë parë të udhës për të ndërhyrë në rehabilitimin e fushës, duke marrë përsipër edhe riskun për të luajtur për një kohë të gjatë jashtë shtëpisë. Pas hedhjes se helmit, është hequr pjesa sipërfaqësore e fushës dhe skuadra e punëtorëve dhe specialistëve po merret me shtrimin dhe sistemimin e sektorëve që kanë nevojë.

Është parashikuar të mbivendoset një shtresë e përbërë nga rëra dhe ilaçi antikrimb përpara se të mbillet bari i ri, fara e të cilit ka mbërritur në Laç para dy ditëve. Sipas asaj që raportohet nga stafi që kryen punimet, fusha e stadiumit të Laçit pritet të jetë gati vetëm pas thuajse dy muajsh. Në këtë mënyrë, që nga ndeshja me Teutën, Laçi nuk do mund të jetë pritës në shtëpi.

Sipas këtyre parashikimeve, i bie që Laçi ta mbyllë 2018-ën jashtë shtëpisë dhe të gjitha ndeshjet në vijim do të luhen në transfertë. Në momentin më të mirë të sezonit, kurbinasit janë të detyruar që të mos kenë në dispozicion faktorin fushë, ndonëse kanë treguar se dinë të luajnë dhe fitojnë edhe në transfertë, siç ishte rasti i fundit me Tiranën. Në vijim mbetet për të parë se cilin stadium do të përdorë përkohësisht Laçi për ndeshjet pritëse.

Capture

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"