Probleme me zemrën, flet sulmuesi i ri i Egnatias: Vetëm Zoti më ndal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 20:50

Probleme me zemrën, flet sulmuesi i ri i Egnatias: Vetëm Zoti më ndal

Klubi i Egnatias ka bërë një lëvizje të bujshme gjatë merkatos së janarit, duke afruar një emër me eksperiencë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Sulmuesi ganez, Rafael Duamena, ka luajtur në të kaluarën në Spanjë me Levanten apo në Zvicër me Zyrihun, ndërsa është bërë pjesë e rrogozhinasve në muajin e kaluar. Ai u prezantua zyrtarisht nga presidenti Agim Demrozi pasi kaloi testet mjekësore. E megjithatë, tek Egnatia mund të kenë një arsye për t’u shqetësuar.

duamena

Duamena është zhdukur nga futbolli elitar në dy vitet e fundit, por kjo nuk ka të bëjë me formën e tij. Sipas mediave zvicerane, kjo lidhet me gjendjen shëndetësore të lojtarit.

Pak vite më parë, ai është diagnostikuar nga një problem në zemër dhe në vitin 2020 u detyrua të vendoste defibrilator për të shmangur arrestet kardiake, para se të firmoste me Real Saragozën.

Mjekët e kanë këshilluar të braktisë futbollin profesionist, pasi zemra e tij mund të mos e përballojë më, por Duamena ka vepruar kundër këshillave të tyre. Në një intervistë të dhënë për gazetën zvicerane “NZZ” (“Neue Zurher Zeitung”) pak kohë më parë, ai ka konfirmuar se defibrilatori që i është implantuar, është vënë dy herë në punë.

Një herë kur ishte te Saragoza në Spanjë dhe një herë te Linz në futbollin austriak. Në të dyja rastet ai pësoi kolaps, gjë që çoi në kërkesën që të braktiste idetë e tij për të vazhduar në futbollin profesionist.

Por Duamena ka bërë të kundërtën nga këshillat e mjekëve. Sulmuesi ka bërë ndërhyrje kirurgjikale për të hequr defibrilatorin, duke e fajësuar mosfunksionimin e tij për problemet që ka përjetuar në fushë.

“Nuk e dija se kur do të vinte goditja e radhës. Nuk do t’ia uroja askujt në botë atë ndjesi. Kam parë aq shumë doktorë. Të gjithë thonë diçka të ndryshme. Unë i respektoj opinionet dhe diagnozat, por nuk i shoh me seriozitet dhe disa herë qesh. Vetëm dikush mund të më thotë që ka ardhur koha të ndalem. Ai është Zoti”, u shpreh sulmuesi më i ri i Egnatias për gazetën zvicerane, duke dalë kundër këshillës së mjekëve.

TESTET MJEKËSORE Rafael Duamena është lëvizja e parë zyrtare e Egnatias në hyrje. Qendërsulmuesi u afrua thuajse një muaj para se të niste zyrtarisht merkatoja dimërore.

27-vjeçari nga Gana i ka kryer testet mjekësore në një klinikë të specializuar dhe përtej asaj që kanë shkruar në të kaluarën mediat në Zvicër, Duamena vijon stërvitjen normale me grupin.

Pritet që debutimi i tij, duke menduar se në këto pak ditë derisa të rinisë kampionati nuk do të ketë ndeshje miqësore, të bëhet ndoshta në takimin shtëpiak të 14 janarit 2023 ndaj Erzenit në Rrogozhinë.

Në lidhje me merkaton si në dalje (huazimet apo largimet), ashtu dhe në hyrje (afrimet), trajneri Shpëtim Duro ka idenë e ndonjë lëvizjeje që mund të shërbejë për më tej, por kjo si mundësi do të qartësohet në ditët në vijim, madje edhe pasi të rifillojnë ndeshjet e kampionatit.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"