“Prisni ende surpriza në merkato”, Gugash Magani: Grupi po harmonizohet, Egnatia nuk do jetë kalimtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2021 | 11:22

“Prisni ende surpriza në merkato”, Gugash Magani: Grupi po harmonizohet, Egnatia nuk do jetë kalimtare

Tek Egnatia po i vlerësojnë miqësoret që po zhvillohen në këtë periudhë. Të gjithë lojtarët po shfaqin vlerat e tyre në çdo moment, që më pas të fitojnë një vend titullari.

Gugash Magani

Pas fitores kundër Dinamos me rezultatin minimal 1-0, trajneri i Egnatias, Gugash Magani, u shpreh për “Panorama Sport” se fitorja erdhi si rezultat i besimit deri në minutat e fundit.

FITORJA – “Zbritëm në fushë me formacion të ndryshuar ndaj Dinamos. Çdo moment u konsultuam me stafin, pasi alternativat nuk mungojnë dhe ishin zgjidhje të mirëmenduara.

Ndryshimet e shumta bëhen për faktin që të shikohet mirë gjendja e gjithsecilit nga titullarët. Ngarkesat kanë qenë të pakrahasueshme dhe besoj se të gjithë po i përballojnë mirë”.

KONKURRENCA – “Nuk mund të them se ka konkurrencë, por afrimet dhe baza e vjetshme po harmonizohen në mënyrën më të mirë. Po punojmë pa masë ditë pas dite, në mënyrë që forma të jetë sa më e mirë.

Gjatë miqësoreve të deritanishme, pritshmëritë kanë qenë në plan të parë. Të tilla teste me kundërshtarë po nga Superiorja të japin ide përfituese, si dhe të jesh aktiv në mënyrë të pakrahasueshme. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë e të vlerësojmë gjithkënd në miqësore, më pas në duelet zyrtare”.

MERKATO – “Pothuajse jemi kompletuar, por deri në mbyllje të merkatos mund të kemi surpriza të tjera. Bisedat me presidentin e drejtuesit mbeten parësore çdo moment në dobi të skuadrës”.

GOLAT – “Ndihem mirë kur shënojnë të gjithë dhe i shërbehet fanellës denjësisht. Periudha e mbetur na vlen për të përmirësuar detaje akoma pozitive. Me pak fjalë, Egnatia punon qetësisht që të finalizojë suksesshëm përgatitjet e kësaj vere”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"