Prezantohet trajneri Dalipi, por Luftëtari e nis me vetëm 15 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2023 | 20:04

Prezantohet trajneri Dalipi, por Luftëtari e nis me vetëm 15 lojtarë

Trajneri i ri i Luftëtarit, Edmond Dalipi, ka drejtuar të mërkurën për herë të parë ekipin gjirokastrit në stërvitje. Në seancën e zhvilluar në kompleksin “Fusha e Vjetër”, ai shoqërohej nga administratori i klubit gjirokastrit, Dritan Kristidhi, si dhe ndihmësi i tij, Arben Çoni, i cili në sezonin e kaluar ka qenë në drejtimin e skuadrës deri në muajin mars.

dalipi

Mirëpo, përtej premtimeve të shumta nga ana e klubit bluzi për një riorganizim, në seancën e parë morën pjesë vetëm 15 lojtarë dhe asnjë i afruar nga merkatoja. Shumica e futbollistëve kanë qenë pjesë e ekipit në sezonin e kaluar, mes tyre titullarë si kapiteni Gaba, mbrojtësit Çulli dhe Glauber, mesfushori Puci etj. Largimet kanë qenë të shumta, ku spikasin sarandjotët Mario Mërkuri dhe Alesio Kolonja, të cilët kanë qenë golashënuesit më të mirë.

KRYEBASHKIAKU – Përpara se të zhvillohej seanca e parë stërvitore, trajneri Dalipi është prezantuar zyrtarisht para skuadrës nga kryebashkiaku Flamur Golemi. Ky i fundit ka bërë edhe një reagim pas nisjes së përgatitjeve të skuadrës bluzi.

“Nisim për Luftëtarin sezonin e ri sportiv, tashmë nën drejtimin e Edmond Dalipit. Besimplotë për një ndeshje cilësore dhe me ambicien për ta rikthyer skuadrën bluzi në elitën e futbollit shqiptar. Po mbështesim financiarisht me investime infrastrukturën e duhur, jo vetëm futbollin, por edhe zhvillimin e sporteve të tjera dhe aq më tepër përfshirjen e të rinjve në ekipet sportive. Suksese!”, shkruante kryebashkiaku i Gjirokastrës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"