Prezantohet sulmuesi brazilian te Egnatia: Nuk synoj trofeun e golashënuesit më të mirë të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 11, 2021 | 19:40

Prezantohet sulmuesi brazilian te Egnatia: Nuk synoj trofeun e golashënuesit më të mirë të Superiores

Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport” pak ditë më parë, Pedro Augusto Kabral Karvalho është afrimi i radhës tek Egnatia. Sulmuesi brazilian pritej prej ditësh, por vetëm dje është zyrtarizuar. Në praninë e presidentit Agim Demrozi dhe drejtuesve të tjerë, 22-vjeçari ka nënshkruar për dy vite. Ky është afrimi i dhjetë i Egnatias në merkaton e verës dhe deri në fund priten surpriza të tjera. Ardhja e Pedros pritet që t’i japë më shumë gjallëri fazës sulmuese.

Pedro Agusto

PRONONCIMI- Braziliani 22- vjeçar dje ka dhënë edhe prononcimin e parë për “Panorama Sport” si futbollist i skuadrës rrogozhinase, ku tregoi si mbërriti në Shqipëri, si dhe premtoi se do të japë më të mirën tek Egnatia. “Pas shumë bisedimeve gjeta dakordësinë me drejtuesit e lartë të Egnatias. Vendosa shumë shpejt që të hedh firmën në kontratë, pasi u njoha edhe me synimet e klubit. Firma ishte shumë e thjeshtë, pasi gjithçka shkoi normalisht. Kam pasur dëshirë gjithmonë të luaj në një shtet tjetër, ku të kem mundësinë që jem më i ekspozuar si futbollist.

Menaxheri im ma ka lavdëruar shumë kampionatin shqiptar. Mendoj se do përshtatem shumë shpejt, vetëm se më duhet që të punoj shumë për të kapur ritmin e skuadrës që është më përpara me përgatitjet. Jam stërvitur individualisht gjatë gjithë periudhës përpara se të mbërrija në Shqipëri. Kudo që kam luajtur, jam munduar të bëj më të mirën e mundshme. Në fillim jam përshtatur me lojën e më pas kam hedhur vështrimin te golat, që i kam objektiv personal dhe në shërbim të skuadrës ku luaj.

Shpresoj të lë gjurmë tek Egnatia dhe ashtu si pjesa tjetër të arrijmë ta mbajmë në nivele të larta. Një klub me synime duket që në fillimet e para me seriozitetin që ka në të gjitha drejtimet. Kam ardhur në klubin e ri dhe me shumë pritshmëri. Sezoni është i gjatë e duhet punuar që tani që të jemi efikasë. Gjeta mbështetje nga kushdo në klub, që është detaj i një pikënisjeje me vlera. Rastet e para që do të më krijohen, do të kenë vëmendje nga ana ime drejt sukseseve të përgjithshme. Nuk synoj trofeun e golashënuesit më të mirë të Superiores, por mbetet parësore me ecurinë e klubit që rikthehet në elitë pas një mungese të gjatë. Unë luaj si sulmues e duke dëgjuar udhëzimet e trajnerëve do të justifikoj fanellën që më është besuar. Premtoj më të mirën e çdo gjë të ecë në sinkron në periudha të ndryshme. Aftësitë e mia do t’i vendos të gjitha në dobi të Egnatias. Kampionatin shqiptar nuk e njoh shumë, po nëse do të jemi të bashkuar me pjesën tjetër të shokëve, do të thyejmë çdo parashikim”, u shpreh braziliani Pedro për “Panorama Sport”.

ALDO BUZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"