Presidenti Qarri: Vila më preu në besë, ja pse nuk ia dhashë dorën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2018 | 15:10

Presidenti Qarri: Vila më preu në besë, ja pse nuk ia dhashë dorën

Kamza nuk arriti të fitonte në ndeshjen e së dielës ndaj Skënderbeut, edhe pse arriti të gjente e para rrugën e rrjetës. Dy golat e shënuar nga Emiljano Vila për korçarët u shkaktuan kryeqytetasve një humbje në një ndeshje, ku shpresonin të paktën të merrnin fitore. Në një intervistë për “Panorama Sport”, presidenti i Kamzës, Naim Qarri, flet për ankesat ndaj gjykimit dhe arsyen përse nuk e takoi Emiljano Vilën në fund të ndeshjes.

Naim-Qarri-470x470

E keni kontestuar fort gjykimin pas ndeshjes me Skënderbeun, tani që jeni më të qetë, keni një gjykim tjetër?

Në lidhje me gjyqtarin kemi reaguar menjëherë pas ndeshjes. Skënderbeu është një skuadër e fortë, që nuk ka nevojë për gjykimin. Megjithatë, arbitri në atë ndeshje nuk ka dhënë 11-metërsh kundër nesh apo ndonjë gjë tjetër të rëndë, gjithsesi u tregua dashamirës me kundërshtarin duke i akorduar goditje dënimi. Në jemi një skuadër e vogël në krahasim me korçarët dhe gjëra të tilla bëjnë diferencën. Gjithsesi, e kemi hedhur mbrapa atë që ka ndodhur dhe po mendojmë për ndeshjen e radhës.

Ju vjen keq që nuk morët një rezultat pozitiv, pasi ishit të parët në avantazh?

Sigurisht që po, pasi arritëm të shënonim të parët dhe për këtë arsye duhet të kishim marrë të paktën një barazim. Por, u ndëshkuam dy herë dhe për këtë me vjen më shumë inat me lojtarët e mi. Në pjesën e parë bënë një lojë shumë të mirë, ndërsa në të dytën nuk arritën të ruanin rezultatin. Mendoj se duhet të ishin treguar më të kujdesshëm.

Mos ndoshta në analizën që do të bëni me futbollistët do të komunikoni edhe masa për ta?

Jo, jo. Nuk mund të flasim për masa në asnjë moment, pasi luanim ndaj Skënderbeut, ekipit më të mirë në vendin tonë. Por, do të zhvillojmë një analizë me futbollistët nesër (sot) dhe do të flasim për atë ndeshje.

Lajmi që nuk i keni dhënë dorën mesfushorit të Skënderbeut, Emiljano Vila, pas ndeshjes është komentuar shumë…

Është e vërtetë që nuk ia kam dhënë. Më ka prerë në besë.

Mund të na thoni diçka më shumë?

Kur Vila u largua nga Partizani, më është vetofruar për të qenë pjesë e Kamzës dhe ramë dakord që ai të firmoste. Kërkoi një shumë financiare për të firmosur dhe ia kam siguruar në kohë rekord. E kishim lënë që të zyrtarizonim marrëveshjen, por më tha më prit deri në darkë. Në mëngjes zgjohem nga gjumi dhe shikoj lajmet që thonë se Vila kishte firmosur te Skënderbeu. I çova mesazh dhe i thashë që kishte lënë një muhabet me mua. Pastaj, pas ndeshjes, erdhi të më jepte dorën dhe i thashë se: “nuk ke bërë ndonjë burrëri me mua, që të më japësh dorën”. Kjo ishte gjithë e vërteta.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"