Presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Trajneri i ri i Përfaqësueses duhet të na e mbushë mendjen që mund të na kualifikojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2023 | 16:34

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi: Trajneri i ri i Përfaqësueses duhet të na e mbushë mendjen që mund të na kualifikojë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka thënë se gjatë muajit janar Përfaqësuesja e Kosovës do të bëhet me trajner të ri. Sipas Ademit, trajner do të zgjidhet ai që do t’ua mbushë mendjen drejtuesve të FFK-së me një projekt që mund ta kualifikojë Kosovën në një ngjarje të madhe, Botëror apo Europian.

agim ademi

Ai ka theksuar se Kosova nuk është në fazën e zhvillimit, por të arritjes së rezultateve.

“Do të zgjidhet ai i cili e ka projektin më të mirë, pasi garanci në futboll nuk ka, por mund të na e mbushë mendjen me një projekt që mund të na kualifikojë. Tashmë, ne jemi zhvilluar sa i përket Kombëtares A dhe nuk është ajo faza e zhvillimit, por e rezultateve”, ka thënë Ademi për KOHËN, të dielën pas ceremonisë “Laureatët e Vitit 2023” të organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Ai ka shtuar se bisedimet do të zhvillohen me trajnerë nga Kroacia, Austria, Gjermania, Argjentina. Por nuk ka zbuluar emrat e trajnerëve me të cilët do të diskutoj.

“Në ditët në vazhdim do ta përzgjedhim edhe trajnerin dhe shpresoj shumë që edhe me këta futbollistë të cilët kanë ardhur nga liga e Kosovës do të krijohet një ekip fantastik, i cili nuk ka munguar por gjithmonë kur nuk ka rezultat ka diçka që nuk shkon mirë. Në atë aspekt mendoj se duhet të jemi të bashkuar. Ne si Federatë e bëjmë punën tonë me kushte maksimale dhe jemi në top-njëzetëshen e FIFA-s, si Federatë që bëjmë punën më së miri”, është shprehur Agim Ademi.

Ai insiston se nuk ka pasur asgjë konkrete gjatë kësaj periudhe sa i përket trajnerit. Takimet tjera do të zhvillohen në janar. Madje, sipas tij edhe përzgjedhja e trajnerit do të bëhet në janar.

Trajneri turk Shenoll Gunesh, sipas mediave turke është një prej kandidatëve për ta marrë drejtimin e Kosovës. Më herët është raportuar edhe për trajnerin gjerman Andre Breitenreiter. Ademi takim ka pasur me trajnerin spanjoll Roberto Moreno, i cili në fund zgjodhi skuadrën ruse, Soçi.

“Ende nuk kemi vendosur kush do të jetë, por jemi në bisedime e sipër dhe deri në janar do të jemi në pushim. Po ashtu edhe trajnerët janë në pushim shkaku i festave të fundvitit, por besoj se në janar do të zgjedhim çështjen e trajnerit”, ka theksuar Agim Ademi.

Pozita e përzgjedhësit te Kosova, ka mbetur vakant që prej largimit të Primozh Glihas, pas përfundimit të ciklit kualifikues për Euro 2024.

Agim Ademi ka thënë se Kosovës do t’i bashkohen edhe disa lojtarë të rinj. Ka theksuar se janë në bisedime me disa portierë pas pensionimit të Samir Ujkanit.

“Sigurisht se do të ketë ardhje të reja, e kemi pensionuar një portier, do të vij një portier. Do të ketë edhe shumë të tjerë. Kosova ka shumë futbollistë të mirë dhe i çmoj dhe i respektoj deri në pikën e fundit, por normalisht që duhet punë dhe unë jam ithtar i punës dhe punës 100 për qind. Ai që mund ta përcjellë punën tonë ekziston dhe ec, por ai i cili nuk mundet ta përcjellë normalisht që bie nga kombinimi”, ka thënë Ademi.

Ai të dielën në ceremoninë “Laureatët 2023”, e prezantoi si lojtar të Kosovës, Fisnik Asllanin.

 

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"