Premio “shkon” për anësorin, presidenti Qarri: Arbitrat e bënë estradë me Kukësin, por Kamza nuk dorëzohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2019 | 17:02

Premio “shkon” për anësorin, presidenti Qarri: Arbitrat e bënë estradë me Kukësin, por Kamza nuk dorëzohet

Presidenti i Kamzës, Naim Qarri, edhe pse skuadrën e ka në vendin e fundit, duke qenë 4 pikë larg Kastriotit dhe 9 pikë larg Luftëtarit, përsëri beson te mbijetesa dhe nuk i ka hequr shpresat se skuadra do t’ia dalë të mbijetojë. Por, nuk ka lënë pa përmendur edhe një herë akuzat ndaj gjykimit.

qarri-naim-1

Reagimi i parë i Qarrit lidhur me takimin në Elbasan kundër Kukësit për “Panorama Sport” ishte ky: “A e patë golin e parë të Kukësit? Kjo ishte estrada e radhës që arbitrat po bëjnë me ne. Sado që të luajnë teatër apo estradë, ata nuk do të na mposhtin”.

Më tej Qarri thekson se ekipi do t’u kthehet rezultateve pozitive. “Skuadra ime do të rezistojë dhe do të jetë sërish në Superiore. Kjo jo vetëm nga dëshira ime, por përderisa matematika na lejon, dhe në lojë janë akoma edhe 13 javë, pse të mos shpresojmë. Për ne do të jetë një luftë e vështirë deri në sekondat e fundit të kampionatit. Skuadra jonë, ashtu si dhe sezonin e shkuar, ia doli edhe duke pasur këta kamikazë të gjykimit kundra. Është bërë e padurueshme ana e gjykimit, një herë na mohojnë penallti, një herë tjetër favorizojnë me gol jashtë loje skuadrat kundërshtare. Po tashmë ka ardhur koha që t’i themi stop. Ne si klub nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa drejtësi nga gjykimi. Edhe kur ndeshja luhet në shtëpinë tonë, gjithnjë i porosis arbitrat, mbajeni vetëm drejt, nuk dua më shumë prej jush. Kamza vërtet ka kalendar të vështirë, por mendoj se shumë shpejt do t’u rikthehemi rezultateve pozitive”, përfundoi presidenti i Kamzës.

BATUTAT – Skuadra e Kamzës, ditën e djeshme përreth 40 minuta është ndalur në analizën e ndeshjes kundër Kukësit, zhvilluar të dielën e kaluar, ku u mundën 3-2. Më pas, është kaluar në seancën stërvitore, e cila ka qenë e para e kësaj jave duke qenë se të hënën lojtarët u lanë pushim.

Në analizën e ndeshjes ishte edhe presidenti Naim Qarri. Ka pasur diskutime dhe kritika për disa momente, të cilat janë ndjekur në monitor, por njëkohësisht nuk janë lënë mënjanë edhe njëanshmëritë e arbitrave, sidomos të dy anësorëve.

Madje, nuk kanë munguar as batutat për premion e majme që “Panorama Sport” paralajmëroi se Kamza do të merrte në rast rezultati pozitiv ndaj Kukësit. Me shaka ata thanë se premio e majmë shkoi për anësorët, sidomos për Denis Agarain, i cili sipas kamzalinjve, ka qenë tërësisht i njëanshëm, duke mos ngritur flamurin në golin e parë të Kukësit.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"