PRAPASKENA/ Kukësi asnjë fjalë falenderimi pas largimit të Musollit, verilindorët pretendojnë se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 12:04

PRAPASKENA/ Kukësi asnjë fjalë falenderimi pas largimit të Musollit, verilindorët pretendojnë se…

Futbollisti që ka luajtur më shumë me fanellën e Kukësit, nga dje mund të konsiderohet një ish-kapiten i Kukësit. Bëhet fjalë për Besar Musollin, i cili ashtu siç ishte paralajmëruar nga gazeta, ka firmosur për Gjilanin në Kosovë dhe të martën është prezantuar zyrtarisht nga skuadra e re. Ai ishte lojtari më jetëgjatë në historinë e klubit të Kukësit në elitë, me plot 201 ndeshje në 8 kampionatet e fundit dhe gjithashtu 270 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
120081372_727127484539937_7895638774747962261_o
Por, çdo fillim e ka një fund dhe kjo ndodhi me mesfushorin 31-vjeçar. Gazeta ka publikuar prej kohësh se Musolli do të jetë pjesë e Gjilanit për sezonin e ri, por largimi i tij natyrisht që nuk mund të përtypej te Kukësi, prandaj dhe ende nga klubi verilindor nuk ka një mesazh lamtumire për lojtarin, siç ka ndodhur me të tjerët që janë larguar.

PROBLEMI
Kapiteni i Kukësit e kishte ndarë mendjen për t’u larguar këtë sezon nga ekipi, i detyruar nga rrethanat. Shkas janë bërë prindërit në Kosovë dhe familja e tij bashkë me fëmijët. Këtë gjë ai ia pohoi edhe presidentit Gjici, i cili ka pasur shumë dëshirë që kapiteni dhe njëkohësisht i preferuari i tij të mos largohej. Por, fatet e palëve ishin ndarë dhe vendimi ishte i pakthyeshëm. Nga burime të sigurta në klub, gazeta mëson se lojtari u kishte bërë me dije drejtuesve se nëse Kukësi nuk i jepte letrat, ai jo vetëm që nuk kthehej më, por ishte i gatshëm të sakrifikonte karrierën duke lënë edhe futbollin. Në këto kushte, dje lojtari u prezantua te Gjilani.
besar musolli
Sakaq, akoma nga klubi i Kukësit nuk ka pasur një qëndrim zyrtar për çështjen “Musolli”, por nga komunikime të gazetës me pjesëtarë të skuadrës, u bë me dije se mesfushori është ende lojtar i Kukësit. Sipas tyre, lajmet që lojtari është lënë i lirë nga klubi nuk janë të vërteta. Gjithsesi, gazeta mëson se Musolli ka marrë përgjigjen nga FSHF se mund të federohet në një klub tjetër. Mbetet për t’u parë reagimi i Kukësit në lidhje me transferimin e Musollit te Gjilani. Mesfushori u largua pas 8 vitesh nga nënkampionët në fuqi, duke fituar çdo trofe të mundshëm në Shqipëri.

ZYRTARE/ Me fanellë të re, Musolli i bashkohet Gjilanit në Kosovë

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"