Portieri i Kamzës në ankth: Kemi familje, FSHF të mos na hedhë në rrugë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2019 | 18:31

Portieri i Kamzës në ankth: Kemi familje, FSHF të mos na hedhë në rrugë

Ilir Avdyli ka mbetur në rrugë, ashtu si 24 lojtarët e tjerë të Kamzës. Edhe pse i dolën në mbrojtje gjyqtarit Eldorian Hamiti, portieri thekson se dënimi rëndon më së shumti mbi futbollistët.

avdyli kamzaa

Në një rrëfim për “Panorama Sport”, kosovari thekson se prej vendimit janë goditur jo vetëm financiarisht, por edhe profesionalisht. Tashmë që gjakrat janë ulur, gardiani zbulon edhe bisedën me gjyqtarin në momentin aq shumë të diskutuar të penalltisë.

Një sezon i nisur me shpresa të mëdha, por që u mbyll mes dhunës dhe një vendimi me përjashtim për Kamzën. Si e gjykon Avdyli dënimin?

Një sezon më parë mbijetuam në Kategorinë Superiore vetëm në finish dhe menduam se kishte ardhur momenti që Kamza të bënte hapa më të sigurt këtë vit. Kur dihet që u ruajt boshti i skuadrës dhe u afruan emra të rëndësishëm, dinim që të garonim për Europën. Mirëpo, kur bashkia nuk mbajti më përgjegjësi ndaj ekipit, u prishën balancat. Lojtarët humbën besimin për financat dhe aty filluan problemet, derisa e çuan gjendjen në këtë pikë.

Meqenëse ishit protagonist te penalltia aq shumë e diskutuar, tashmë që janë ftohur gjakrat dhe e gjykoni më drejtë, mendoni se ishte?

Kishte kontakt mes meje dhe lojtarit të Laçit, mirëpo mendoj se penalltitë pas minutës së 85-të gjykohen vetëm nëse bëhet fjalë për një rast 100% goli. Dhe në atë episod, kundërshtari shanset për të shënuar i kishte thuajse “zero”.

ilir avdyli kamza

Hamiti deklaroi se nuk ia mohuat faullin, por thjesht i kërkuat që të mos merrnit të verdhin. E vërtetë?

Unë isha me tre kartonë të verdhë para Laçit dhe nëse do ndëshkohesha, do humbja transfertën aq të rëndësishme në Gjirokastër. Prandaj i kam kërkuar arbitrit të më kursente. Dhe prej kësaj pjese isha i kufizuar që të kundërshtoja edhe vendimin e penalltisë.

A keni folur me arbitrin pas asaj që ndodhi?

Në fakt, jo, por sinqerisht me vjen keq për ato skena dhune që pamë. Jam totalisht kundër, pasi na ka prekur të gjithëve.

Ju kishte ndodhur që të shihnit dhunë në fushë?

Nuk më kishte ndodhur kurrë. Është ngjarje tejet e shëmtuar. Pastaj duhet të dimë se futbolli është lojë me gabime dhe ndëshkime. Uroj që kjo gjë të mos ndodhë më kurrë në Shqipëri.

Çfarë po ndodh me ju tani, a ka ndonjë shans që të luani jashtë?

Në muajin janar, kur më mbaroi kontrata me Kamzën, isha në bisedime me disa ekipe të huaja dhe shqiptare. Jashtë nuk lëvizja dot për shkak të pasaportës sime kosovare, e cila nuk njihet nga shume vende aziatike. Dhe interesimet andej më erdhën, ndaj vendosa të rinovoj me Kamzën për të marrë minuta. Mirëpo, edhe kjo ngjarje ndodhi në kohën kur po vija në formën e time më të mirë.

Si ishte stërvitja e fundit me Kamzën, çfare biseduat me lojtaret?

Nuk e prisnim këtë dënim. OK, mendonim që do na hiqnin pikë dhe ndeshjet do t’i luanim në fushë tjetër, por kurrë që do të përjashtoheshim. Sjellja e futbollistëve ishte korrekte, madje u përpoqën që të mbronin edhe arbitrin. Nuk kishim lidhje me ngjarjen. Vendimi na goditi të gjithëve. Kemi disa muaj pa marrë rrogat dhe të ngelemi në rrugë thuajse 2 muaj e gjysmë të tjera na godet jo vetëm në pjesën financiare, por edhe atë profesionale. Kështu që mendoj se federata duhet të bëjë një zgjidhje për ne, sepse të gjithë lojtarët e Kamzës jetojnë nga lekët e sportit… domethënë nuk bëjnë punë tjetër.

Po me presidentin keni folur dhe a prisnit që me një veprim të tillë të digjte karrierën e 25 lojtareve?

Është realitet se Kamza kishte një ekip cilësor dhe kishim shumë kërkesa nga klubet tjera në janar. Këtë e di edhe vetë presidenti, por ne i besuam projektit të tij dhe menduam që ta çojmë deri në fund. Kemi folur me të. Normalisht i vjen keq, ndaj na ka kërkuar edhe falje. Edhe ai shpreson sikurse ne, që federata t’i japë një zgjidhje, që të mos ngelim në rrugë.

Adela Merko

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"