“Poker” largimesh tek Flamurtari, Imami: Nuk e prisja fare, më njoftuan vetëm në telefon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 20, 2023 | 22:05

“Poker” largimesh tek Flamurtari, Imami: Nuk e prisja fare, më njoftuan vetëm në telefon

“Fshesë” totale te Flamurtari. Në një kohë që klubi njoftoi arritjen e marrëveshjes me Idriz Bathën, katër lojtarë të tjerë kishin firmosur “divorcin”. Eni Imami, Aleksa Mrdja, Silvio Zogaj dhe Albi Metani nuk do të jenë më pjesë e kuqezinjve.

imamiii

Imami – Mbrojtësi ka mbetur i habitur nga ky vendim. I ka ardhur krejt papritur me një telefonatë. E megjithatë, e ka pranuar “divorcin” pa bërë zë. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Eni Imami tregon se çfarë ndodhi.

“Seriozisht nuk e prisja fare. Ishte surprizë për mua. E ndieja që në Vlorë më donin. Kam luajtur titullar i padiskutuar në të gjitha ndeshjet me përjashtim të Bylisit që isha i dëmtuar dhe dy ndeshjeve të tjera për kartonë. Kuptoja nga njerëzit në klub që më rrethonin dhe te tifozët dashamirës. Njësoj si në Shkodër, pavarësisht se këtu njerëzit pak më të ftohtë, se skuadra është në Kategori të Parë. Më morën në telefon dhe më thanë do shkëpusim bashkëpunimin. Nuk i pyeta për arsyet se kur dikush nuk do të vazhdojë më, nuk mund të qëndrosh me zor. U ndamë me mirëkuptim. Më vjen keq se isha mësuar në Vlorë dhe kisha çfarë të jepja. Besoj se kam qenë korrekt në të gjitha aspektet dhe klubit nuk i kam sjellë shqetësime dhe probleme. Edhe presidenti Idrizi më takoi sot (dje) dhe më tha që: Kam respekt dhe je treguar djalë shembullor”, përfundon Imami, aventura e të cilit në Vlorë nuk zgjati më shumë se gjysmë viti.

Të tjerët – E pritshme është edhe ikja e Aleksa Mrdjës. Qendërsulmuesi nuk është se bëri ndonjë çudi në ekip, ndonëse pritshmëritë për të ishin të mëdha. Boshnjakut nuk është se i ka munguar mundësia për të treguar veten, por marrëdhënien me golin e ka “0”. Një tjetër largim është edhe Silvio Zogaj. Klubi prishi kontratën me 26-vjeçarin, që në 993 minuta ka shënuar 2 gola. Flamurtari largon edhe vlonjatin Albi Metani. 20-vjeçari të vetmen aventurë jashtë Vlorës, e ka pasur si i huazuar te Turbina. Kështu, shkon në 6 numri i largimeve. Më herët kanë ikur edhe Elvi Berisha, Antonio Ilieski dhe Mateus Indio.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"