Poker golash, Vllaznia “pushton” Krujën. “Deda”: S’kemi shpëtuar, derbi me Tiranën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Prill 20, 2014 | 14:01

Poker golash, Vllaznia “pushton” Krujën. “Deda”: S’kemi shpëtuar, derbi me Tiranën

Kastrioti-VllazniaKASTRIOTI-VLLAZNIA 2-4
GOLAT: Doku 23′, Caca 66′ (11-m)/ Kruja 8′, Tafili 43′, Shtubina 58′, Bushiç 82′
KASTRIOTI: Kukrika (Çali 46′), Caca, Sheta, Da Silva, Xhafa, Abraham, Çela (Tepshi 46′), Doku, Sefa, Ferraj (Manuka 46′), Popoviç. (në dispozicion: R.Hoxha, Bratiç, Daja, Malindi). Trajner: Nevil Dede
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Beqiri, Vukçeviç, Sykaj, Boci (Marku 66′), Tafili (Gocaj 62′), Bardulla, Kruja, Shtubina, Hajdari (Dema 83′), Bushiç. (në dispozicion: Selimaj, Kraja, Dibra, Vecaj). Trajner: Dervish Haxhiosmanoviç
KARTONË TË VERDHË: Caca 78′, Sheta 88’/ Beqiri 66′
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
VËZHGUES: Sazan Velçani (Patos)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Barushi, D.Myftari (Tiranë)

MINUTAT
7′ Shtubina shpërthen në krahun e djathtë dhe fut një top në zonë për Bardullën, i cili, në duel me portierin Kukrika pranë vijës fundore, nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetë.
8′ Mesfushori Kruja bën gjithçka mirë, duke dribluar njëri pas tjetrit tre lojtarë të Kastriotit dhe më pas në hyrje të zonës gjuan fluturimthi dhe shënon një supergol, 0-1 për Vllazninë.
13′ Çela merr një inkursion nga e majta e sulmit të Kastriotit, futet në zonë, por gjuan jashtë.
15′ Kundërsulm i Vllaznisë dhe Bushiç del i vetëm me Kukrikën, por në momentet e fundit portieri boshnjak largon rrezikun.
22′ Çela tenton nga jashtë zone, por topi kalon mbi traun e portës.
23′ Është sërish Çela, i cili futet bukur në krahun e majtë të mbrojtjes mike dhe më pas jep një asist saktë për Dokun, që i ndodhur brenda zone, barazon shifrat, 1-1.
25′ Goditje dënimi për Vllazninë, Hajdari godet direkt në portë, por Kukrika pret i sigurt.
30′ Aksion model i krutanëve, Caca harkon në të majtë për Çelën. Ky i fundit kroson direkt në zonë për Popoviç, i cili kërcen bukur me kokë, por grushton Vujadinoviç dhe në topin kthyer është Ferraj, që humbet një rast të artë duke goditur jashtë.
43′ Dalje e gabuar e Kukrikës pas një topi të gjatë në zonën krutane. Portierit i shpëton topi nga dora dhe Hajdari përfiton, duke shërbyer për Bushiç, ndërsa ky i fundit me kokë ia kthen Tafilit, i cili në një pozicion ideal shënon, në një kohë që Kukrika përfundon në rrjetë me gjithë topin, 1-2.
50′ Shtubina gjuan brenda zonës, por pret portieri i sapofutur i krutanëve, Çali, largon rrezikun me këmbë.
57′ Bardulla nxjerr të lirë Bushiçin, i cili gjuan fort, por Çali grushton mrekullisht duke evituar golin.
58′ Kundërsulm i Vllaznisë, mbrojtja krutane kapet e papërgatitur, teksa Bushiç kalon edhe portierin, por topi i goditur prej tij ngec në ujë. Në këtë moment vjen me shpejtësi Shtubina, i cili ndjek aksionin dhe shënon, 1-3 për Vllazninë.
66′ Sefa ekzektuton një goditje dënimi dhe, në tentativë largimi të topit, Beqiri e prek me dorë. Gjyqtari Jemini akordon penallti. Nga pika e bardhë është i saktë kapiteni Caca, i cili gjuan fort dhe shënon, ndonëse Vujadinoviç ia kupton krahun.
79′ Kruja kroson në zonë për Bushiçin, por goditja e këtij të fundit me kokë përfundon ngjitur me shtyllën.
82′ Goditje këndi për Vllazninë, Kruja kroson në zonë dhe këtë herë Bushiç nuk fal, duke goditur saktë me kokë dhe shënon, 2-4.

Vllaznia bën poker në Krujë dhe fun dos Kastriotin. Kuqeblutë arrijnë të fitojnë pas 6 vitesh në fushën e stadiumit të Krujës dhe mesa duket “hajmalia” është trajneri Dervish Haxhiosmanoviç. Përballë një kundërshtari jo të motivuar si duhet, shkodranët arritën një triumf shumë të rëndësishëm, duke hedhur një hap të madhe drejt mbijetesës në Kategorinë Superiore. Nga ana tjetër, skuadra e Nevil Dedes duket krejtësisht e dorëzuar dhe tashmë shpresat matematikore janë thjesht një alibi. Si për ironi të fatit, Vllaznia që kërkon të shpëtojë nga rënia, e gdhin sot vetëm 3 pikë larg zonës që të çon në Kupat e Europës. Me 41 pikë dhe provizorisht në vendin e pestë, kuqeblutë presin të qetë ndeshjet e rivalëve, ndërsa krutanët tashmë duhet të mendojnë për kampionatin tjetër, pasi ky aktuali mund të quhet i dështuar.
Pjesa e parë Loja nis e vrullshme për shkodranët. Është Shtubina, që në dy raste bëhet i rrezikshëm për Kastriotin. Mesfushori furnizon me topa sulmuesin Bushiç, por mbrojtja dhe portieri i krutanëve tregohen të vëmendshëm. Megjithatë, rezistenca e vendësve është vetëm 8 minuta, pasi Kruja kalon në avantazh shkodranët pas një goditjeje shumë të bukur në hyrje të zonës. Fillimi shumë i mirë për miqtë kap në befasi Kastriotin. Vllaznia ngulmon për të shënuar edhe golin e dytë me Bushiçin, por nuk ia del. Me kalimin e minutave, krutanët marrin veten dhe arrijnë të shtyjnë drejt portës kuqeblu. Çela, më i miri i krutanëve në pjesën e parë, fillimisht tenton të shënojë vetë, por goditja e tij përfundon mbi shtyllë. Më pas vlonjati do të jetë përsëri protagonist, teksa jep një asist brenda zone për Dokun dhe ky i fundit nuk fal përballë Vujadinoviçit. Interesant është fakti se të dyja golat që mesfushori tiranas ka shënuar këtë kampionat me fanellën e Kastriotit, i ka realizuar në portën e Vllaznisë. Loja bëhet më e bukur pas barazimit të shifrave, teksa Popoviç për pak kalon në avantazh Kastriotin. Mirëpo, në momentin më të mirë të krutanëve, gabon portieri Kukrika. Boshnjakut i shpëton topi nga duart dhe më pas përfiton Tafili, i cili i kalon në avantazh miqtë. Në këtë moment ka edhe ilaritet në stadium, pasi portieri Kukrika në përpjekje për t’u kthyer, futet me gjithë top në rrjetë. Me rezultatin 1-2 për shkodranët mbyllet fraksioni i parë.
Pjesa e dytë Kastrioti e nis pjesën e dytë me tre zëvendësime të menjëhershme. Dede kërkon të ndryshojë gjithçka, teksa Kukrika i lë vendin portierit të ri, Çali, i cili bën debutimin me krutanët për këtë kampionat. Ndërsa Ferraj i lë vendin Manukës dhe Çela zëvendësohet me Tepshin. Megjithatë, janë sërish shkodranët që rrezikojnë të parët me anë të Shtubinës. Kundërpërgjigjen krutanët me Sefën, por pa rrezik. Ndeshja ka ritëm dhe rastet nuk mungojnë për të dyja skuadrat. Shtubina shënon golin e tretë dhe shuan shpresat e krutanëve për pikë. Mbrojtja e Kastriotit lë shumë hapësira, ndërsa mesfusha nuk funksionon. Me rezultatin 1-3 miqtë janë të qetë, por loja rihapet kur Beqiri prek topin me dorë dhe Jemini akordon penallti. Caca shkurton diferencën nga pika e bardhë, por megjithatë loja në vijim nuk prodhon ndonjë rast të pastër për vendësit. Bushiç mbyll ndeshjen 8 minuta para fundit, pas një goditjeje me kokë brenda zonës. Gjithçka mbyllet 2-4 me një Vllazni më të motivuar dhe një Kastriot të dorëzuar.

MË I MIRI
Pa dyshim Arsid Kruja. Zhbllokoi rezultatin, dha asistin e golit të katërt dhe shumë të tjerë gjatë 90 minutave. Mesfushori i talentuar shkodran i bëri të gjitha dje në Krujë, duke qenë lojtari më i mirë në fushë për të dyja skuadrat. Bashkë me të, edhe sulmuesi Bushiç u pa shumë aktiv. Disa herë kroati u bë i rrezikshëm për portën krutane, ndonëse realizoi vetëm një gol.

MË PAK AKTIVI
Portieri boshnjak i Kastriotit, Mlladen Kukrika, edhe këtë herë gabon, duke dënuar jo pak skuadrën. Në rastin e golit të dytë ai bëri një gafë në dalje, duke i dhuruar Vllaznisë një gol që prishi ekuilibrat. Trajneri Dede, për shkak të paraqitjes së dobët, zëvendësoi në pjesën e dytë portierin Kukrika dhe Ferrajn, por nuk u kuptua dalja e Çelës, i cili spikati në pjesën e parë.

Besa-Kastrioti 1-1, Dede drejton nga stoli krutanetDede kritikon lojtarët: Më shumë respekt për tifozët
Trajneri i Kastriotit, Nevil Dede, pas ndeshjes i ka kritikuar futbollistët për rendimentin që kanë dhënë në fushë kundër Vllaznisë. Tashmë shpresat për mbijetesë të krutanëve janë venitur tërësisht dhe katër ndeshjet e mbetura duket se do të jenë formale. “Pas ndeshjes me Kukësin javën e kaluar, situata jonë është zbehur sa u përket shpresave për mbijetesë. Sot (dje) ndaj Vllaznisë u munduam t’i motivonim lojtarët, sidomos pas pjesës së parë, por pas golit të dytë të kundërshtarit gjithçka ishte më e vështirë”, – ka thënë fillimisht Dede në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Më tej ai u ndal te paraqitja e dobët e të besuarve të tij. Sipas Dedes, futbollistët duhet të bëjnë më shumë, duke i respektuar tifozët krutanë. “Unë mendoj që lojtarët nuk duhet të luajnë vetëm në funksion të klasifikimit, por edhe në respekt të tifozëve që kishin ardhur për të na ndjekur në stadium. Futbolli kështu është, do të ketë edhe skuadra që do të bien nga kategoria. Në këto kushte, ne duhet ta pranojmë realitetin. Megjithatë, do ta vazhdojmë deri në fund garën për të respektuar veten tonë dhe kampionatin”, – deklaroi trajneri i Kastriotit. Në fund, i pyetur për të ardhmen e tij, Dede shkurtimisht tha: “Të përfundojë një herë kampionati. Pastaj janë pushimet dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë”. Ndërkohë, pak ditë më parë, u aludua se Dede do të largohej nga pankina krutane, por dje ai e drejtoi skuadrën, teksa gëzon besimin e drejtuesve.

DedaHaxhiosmanoviç: S’kemi shpëtuar, si derbi me Tiranën
Dervish Haxhios manoviç nuk e fshehu gëzimin e tij për fitoren e arritur dje në Krujë. Pas ndeshjes, trajneri malazez që drejton Vllazninë, ndër të tjera deklaroi se skuadra e tij nuk ka shpëtuar ende. “Deda”, i cili ka drejtuar në të kaluarën edhe Kastriotin, kërkon ta mbajë të karikuar skuadrën për ndeshjet e radhës. Megjithatë, ai e cilësoi si shumë të rëndësishme fitoren në Krujë. “Gjithçka shkoi sipas parashikimeve tona. Ishte një ndeshje e vështirë, por ia dolëm të merrnim tri pikë. Për ne ishte e rëndësishme që të fitonim në Krujë, duke parë edhe pozitat që kemi në klasifikim. Morëm tri pikë me shumë vlerë, por akoma nuk kemi shpëtuar. Tashmë duhet t’i shohim ndeshjet njëra pas tjetrës, pasi kampionati sa vjen dhe bëhet më i egër”, – është shprehur fillimisht numri një i pankinës së Vllaznisë. Takimi i radhës së shkodranëve është javën e ardhshme kundër Tiranës në transfertë. Këtë ndeshje ndaj një rivali direkt në luftën për mbijetesë, malazezi e cilëson derbi. “Mendoj se ndeshja e ardhshme ndaj Tiranës do të jetë një derbi i vërtetë, midis dy skuadrave më me traditë të kampionatit shqiptar. Ne duhet ta përgatisim në mënyrën më të mirë këtë takim, kështu që duhet të jemi me këmbë në tokë, pavarësisht se (sot) morëm një triumf të rëndësishëm për objektivat që kemi”, – përfundoi Haxhiosmanoviç. Ndërkohë, fitorja e djeshme ishte e pesta radhazi për malazezin në krye të pankinës shkodrane. Ai debutoi në përballjen kundër Laçit në transfertë, aty ku Vllaznia fitoi 0-2, ndërsa më pas mposhti Skënderbeun, Lushnjën dhe së fundmi Kastriotin, pa përmendur këtu triumfin në tavolinë 3-0 kundër Bylisit.

Kruja“I shënova Kastriotit, por nuk jam nga Kruja”
Mesfushori i talentuar shkodran, Arsid Kruja, ishte dje një nga më të mirët në fushë për të dyja skuadrat. Ai shënoi golin e parë të Vllaznisë, ndërsa gjatë gjithë 90-minutëshit ka qenë shumë aktiv. Si për koincidencë, mbiemri i tij është i njëjtë me qytetin që përfaqëson klubi i Kastriotit. Në lidhje me këtë, Kruja për “Panorama Sport” nuk ngurroi të bënte një batutë, ashtu siç u ka hije në përgjithësi shkodranëve. “I shënova Kastriotit dhe për këtë jam shumë i lumtur. Por, pavarësisht nga mbiemri që kam, unë nuk jam me origjinë nga Kruja. Në Shkodër ka disa fise me këtë mbiemër, ndër të cilët edhe artisti i shquar, Gëzim Kruja”, – thotë me jo pak humor 20-vjeçari. I pyetur për fitoren dhe golin e shënuar, mesfushori shtoi: “E rëndësishme është që fituam ndeshjen. Tani të gjitha ndeshjet për ne janë si finale. Sigurisht që jam i kënaqur me një gol të shënuar dhe me një asist të dhënë për Bushiçin. Megjithatë, ajo që ka rëndësi për ne është që me këtë ndeshje hodhëm një hap përpara për mbijetesën”.

Kuqeblutë kishin 3 vite pa shënuar 4 gola në transfertë
Vllaznia fitoi në transfertën e Krujës pas 6 vitesh. Për herë të fundit kuqeblutë kishin mposhtur Kastriotin më 23 mars të vitit 2008, me shifrat 0-1. Dje shkodranët shpërthyen, duke shënuar plot katër gola në transfertë. Vllaznia ka realizuar 4 gola për herë të fundit gjatë një transferte në kampionat më 19 nëntor të vitit 2011, duke fituar 1-4 ndaj Apolonisë në Fier. Në këtë takim golat janë shënuar nga Karakaçi, Smajli, Sukaj dhe Vajushi. Ekipi drejtohej nga Rudi Vata, ndërsa ka qenë po ky trajner që ka fituar me katër gola në transfertë, por këtë herë, më 20 dhjetor të vitit 2011 ndaj Bylisit, në një takim të vlefshëm për kupë. Interesant është fakti se Vllaznia ka humbur me Kastriotin në Shkodër me të njëjtin rezultat, që dje fitoi, 2-4 më 17 mars të vitit 2012. Këtë herë kuqeblutë i kthyen reston skuadrës krutane.
MURAT ARUCI





www.minuta90.com