Pikantet e Vora-Flamurtari, Memushi: Besojmë tek arritja e objektivit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 13:04

Pikantet e Vora-Flamurtari, Memushi: Besojmë tek arritja e objektivit”

Në drejtimin e trajnerit Eqerem Memushi Flamurtari ka bërë një progres të dukshëm. Duke ditur se dy ekipet e para, Elbasani dhe Bylisi, kanë gabuar pak, ka qenë e vështirë për vlonjatët që të rikuperojnë gabimet e shumta të bëra në pjesën e parë të sezonit. Me fitoren e djeshme në transfertën e Vorës kuqezinjtë e trajnerit Memushi kanë “blinduar” vendin e tretë. Trajneri Eqerem Memushi pas ndeshjes foli për situatën dhe synimet e vlonjatëve.

EQEREM-MEMUSHI

“Ishte një fitore për t’u vlerësuar, sepse ajo u arrit ndaj një kundërshtari mjaft të fortë dhe rival direkt. Një ndeshje e bukur dhe ‘fair play’. Jam plotësisht i bindur që skuadra është në formën e duhur dhe ende shpreson në arritjen e objektivit. Me fitoren e mundshme të dy kryesuesve në ndeshjet e së shtunës, i bie që të mos kemi mundësi për ngjitjen direkte. Kështu që ne duhet të shfrytëzojmë edhe mundësinë e dytë përmes fazës ‘play off’.

Për sa i përket rivalëve, unë dua të falënderoj dhe t’i uroj suksese ekipit të Elbasanit për atë që ka shfaqur në këtë sezon. Është më se e logjikshme, që skuadra të qyteteve të mëdha të jenë në elitën e futbollit shqiptar. Gjithsesi, ne do të bëjmë përpjekjet tona deri në fund dhe po nuk ia dolëm, nuk kemi ç`të bëjmë tjetër veçse të përgatitemi për sezonin e ardhshëm. Dihet që Flamurtari është një emër i madh dhe synon të jetë aty ku i takon, në elitën e futbollit shqiptar”, u shpreh trajneri i skuadrës vlonjate.

PIKANTET-Ndeshja u ndoq nga rreth 200 vetë, ku padyshim tifozëria vendëse doli sërish e zhgënjyer nga ekipi i vet.

– Vasil Shkurtaj në pjesën e dytë (minuta e 67’-ë) përplaset me Pedro Gaio. Shkurtaj iu drejtua Gaios që të mos bëjë si kloun, ndërsa portugezi ia ktheu me ofendime.

– Përplasja mes Qardakut dhe kryesorit Albert Doda ndodhi në kohën kur dëmtohet një mbrojtës dhe u kërkua ndihma e mjekut. Qardaku i kërkoi të niste lojën, ndërkohë kryesori Doda iu kundërpërgjigj: “Pa mu hiq qafe dhe ti”.

– Trajneri Memushi është parë mjaft i gëzuar pas përfundimit të ndeshjes, teksa dhe ka imituar komentin e televizionit, kur thoshte: “Vrapon Pjeshka e shënon Pjeshka…”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"