Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ Tifozët ngrihen në këmbë për Duamenën, Musta i tërbon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2023 | 18:07

Pikantet e Vllaznia-Egnatia/ Tifozët ngrihen në këmbë për Duamenën, Musta i tërbon

Vllaznia-Egnatia nuk mblodhi më shumë se 1500 tifozë në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Ndeshja pati disa momente pikante, duke mos lënë mënjanë as humorin shkodran, por edhe gjestin fantastik të tifozëve me duartrokitjen që i dhanë sulmuesit ganez të Egnatias, Rafael Duamena. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet.Collage Maker-27-Apr-2023-06-02-PM-6565

* Ndeshja nisi me katër minuta vonesë, teksa mësohet se bëhej fjalë për një defekt teknik në kufjet e arbitrave. Madje në minutën e 10-të, arbitri kryesor, Kridens Meta, ndali lojën dhe shkoi tek anësori i dytë, Arbër Zalla, duke i bërë një rregullim te kufjet.

* Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, pati një takim të përzemërt me zv.trajnerin maqedonas të Vllaznisë, Toni Meglenski, para fillimit të ndeshjes. Të dy kanë një njohje të vjetër, që nga koha kur ishin bashkë tek Elbasani si futbollistë në vitin 2008. Pas ndeshjes, Tetova bisedoi sërish me Meglenskin, duke e ngacmuar për golin në fund.

* Si për ironi të fatit, mbrojtësi i Egnatias, Emiliano Musta, u ndëshkua me kartonë të verdhë në minutën e 29-të, një numër që e mban edhe në fanellë. Në fund të takimit lojtari nxehu gjakrat, duke replikuar me tifozët kuqeblu dhe shkaktuar irritimin e tyre.

* Mbrojtësi malazez, Darko Bulatoviç, pësoi një tërheqje muskulore dhe kërkoi ndërrim në fundin e pjesës së parë. Në atë moment trajneri Sedloski u pezmatua, pasi iu prishën planet për zëvendësimet.

* Në fushë dje kishte vetëm 8 futbollistë shkodranë nga minuta e parë, nga ku 6 ishin te Vllaznia (Qarri, Hakaj, Gurishta, Marku, Alivoda dhe Balaj) dhe 2 tek Egnatia (Sherri dhe Fangaj).

* Kristi Qarri vijon të jetë portieri i Kupës për Vllazninë. Ai ka nisur si titullar edhe përballjen e parë gjysmëfinale, duke mbajtur rekord aktivizimesh në këtë kompeticion me minutat plota.

* Në minutën e 38-të, Gurishta kapet me arbitrin e katërt, Adrian Beqiri, ku pas një ndërhyrjeje të kapitenit kuqeblu, u akordua një faull. “Beqir, t’i të paktën shife… Nuk ishte faull, thuaja Metës”.

* Nuk mungojnë batutat e tifozëve shkodranë për dyshen e brazilianëve të Egnatias, Fernando dhe Xhekson. “I kanë lyer flokët si Luizi”, thonë ata, duke iu referuar këngëtarit që merr pjesë në “Big Brother”.

* Sulmuesi Bekim Balaj la fushën në minutën e 60-të dhe fillimisht u krijua përshtypja se nuk e priti mirë zëvendësimin. Megjithatë, pasi po vinte drejt stolit, ai mori duartrokitjet e tifozëve dhe u ul bashkë me shokët në pankinë, duke i dhënë dorën secilit prej tyre dhe stafit.

* Teksa po luhej minuta e 91-të, sulmuesi i Egnatias, Rafael Duamena, u zëvendësua. Në këtë moment, tifozët shkodranë duartrokasin ganezin, madje duke u ngritur në këmbë në tribunë për të vlerësuar paraqitjen e tij. Edhe sulmuesi përshëndeti tifozët për këtë gjest fantastik. Sportdashësit shkodranë janë shquar ndër vite për vlerësimin e lojtarëve që dhurojnë paraqitje mbresëlënëse në radhët e kundërshtarëve. Dhe të njëjtën gjë kanë bërë dje me Duamenën.

* Gjyqtari kryesor i takimit, Kridens Meta, nuk u shpëtoi ngacmimeve të tifozëve: “Qenka arbitër ai që i nxjerr ndeshjet… barazim”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"