Pikantet e Partizani-Laçi/ Prani e ulët tifozësh, Memelli studion të kuqtë. Ja çfarë nuk u pa në TV

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2023 | 13:20

Pikantet e Partizani-Laçi/ Prani e ulët tifozësh, Memelli studion të kuqtë. Ja çfarë nuk u pa në TV

Në ndeshjen e djeshme mes Partizanit dhe Laçit, e luajtur në stadiumin “Arena e Demave”, ishin rreth 1000 tifozë të pranishëm, një numër relativisht i ulët. Në radhët e Laçit ishin rreth 100 tifozë në të dyja tribunat e dedikuara për ta.

partizani

* Presidenti i Laçit, Pashk Laska, para ndeshjes zbret në fushë dhe qëndron pranë trajnerit të ri, Skerdi Bejzade, në këtë debutim të tij në stolin e kurbinasve, por edhe si trajner në Superiore. Më pas Laska ulet në pankinë, i shoqëruar nga pjesëtarë të tjerë të klubit. Nga ana tjetër, presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ndjek gjithçka me vëmendje nga zyra e tij me pamje nga fusha, teksa duket mjaft i interesuar dhe pyet shpesh punonjësit e klubit.

* Te Partizani nxehjen para ndeshjes e marrin përsipër ndihmësit e Zekiçit. Trajneri kroat shfaqet në pankinë vetëm 13 minuta para startit të ndeshjes, kur arbitri fërshëlleu për hyrjen në tunele. Ndryshe nga Bejzade, Zekiç nuk futet menjëherë pas skuadrës në dhomat e zhveshjes, por preferon të qëndrojë disa minuta në stol e më pas të zbarkojë për bisedën dhe porositë e fundit para sfidës.

* Nxehja e portierit të Partizanit, Pano Qirko, zgjat më pak se e të gjithëve. Rreth 20 minuta para startit të ndeshjes ai nxiton në dhomat e zhveshjes për përgatitjet rutinë.

* Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, preferoi të ndjekë këtë sfidë direkt nga stadiumi “Arena e Demave”. Ish-sulmuesi preferon të ulet në sektorin e gazetarëve, teksa ndjek me shumë interes sfidën dhe jep përshtypjet e tij herë pas here.

* Partizani nuk luante një ndeshje në stadiumin “Arena e Demave” që nga 29 maji, kur fitonte ndaj Teutës dhe festonte titullin kampion.

* Aldo Dajko dëmtohet dhe mbetet në fushë. E gjithë koha kur lojtari i Laçit qëndronte në tokë, u shoqërua nga fërshëllima të vazhdueshme të tifozëve.

* Maget shënon dhe bën të festojë të gjithë stadiumin, teksa gjatë festës mesfushori i të kuqve merr një goditje nga shokët e tij dhe shihet teksa “vuan” për pak çaste. Për t’ia shtuar “vuajtjet” edhe Murataj i jep një të “shkundur”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"