Pikante/ Ofendime, lot e batuta, korçarët “çmendin” Vlorën. Idrizi largohet i tronditur nga stadiumi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2018 | 23:48

Pikante/ Ofendime, lot e batuta, korçarët “çmendin” Vlorën. Idrizi largohet i tronditur nga stadiumi

Ofendime pa fund për korçarët, mërzi në tribunën VIP dhe Duro që mediton për minuta të tëra në stol. Humbja 0-3 ndaj Skënderbeut ka tronditur vlonjatët, që e kanë përjetuar në mënyra të ndryshme disfatën. Tifozët janë larguar shumë minuta para fundit, ndërsa edhe administratori Sinan Idrizi, nuk ka duruar. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së djeshme në Vlorë.

flamurtari skenderbeu

IDRIZI – Mbeti shumë i zhgënjyer nga ndeshja e djeshme. “Shumë dobët, nuk e di se çfarë patën”, është shprehur kreu i vlonjatëve, Sinan Idrizi pas takimit të djeshëm, teksa u largua menjëherë pa bërë asnjë deklaratë të zgjeruar për mediat pas humbjes me korçarët.

TRIBUNA VIP – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e ndoqi si zakonisht në tribunën VIP ndeshjen e djeshme, teksa në krah kishte zëvendëspresidentin Kreshnik Çipi dhe prefektin e Qarkut, Flamur Mamaj. Mungonte presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, ndërsa korçarët përfaqësoheshin në Vlorë nga zv.presidenti Arlind Boshku.

BUSHIÇ – Kapiteni i Flamurtarit, Tomislav Bushiç, e ka ndjekur ndeshjen e djeshme nga tribuna për shkak të dëmtimit. Bushiç ka qenë i shoqëruar nga anëtarë të bordit të klubit. Në minutën e 60-të, ai u ngrit në këmbë dhe u largua për pak minuta nga stadiumi. Më pas u rikthye dhe u shfaq mes policëve, duke ndjekur takimin në këmbë.

MOÇKA – Portieri i Teutës, Shpëtim Moçka, ishte dje “spiun” i durrsakëve për takimin me Flamurtarin. Ai e ndoqi takimin i ngacmuar jo pak nga tifozët vlonjatë. “Moçka të ka nisur Teuta me mision?!”, është dëgjuar t’i kenë thënë disa nga tifozët portierit.

HOXHAJ – Teksa Ardit Hoxhaj fashoi kokën pas përplasjes, një kameraman i një televizioni u shpreh. “Hajde se kemi fat sot. Hoxha kur fashon kokën shënon gol”. Mirë- po, sulmuesi mbeti në dhomat e zhveshjes më pas sepse trajneri Duro e zëvendësoi me serbin Nedeljkoviç.

FANELLAT – Flamurtari kishte veshur dje fanellat me ngjyrën e bardhë të theksuar dhe jo atë të kuqe dhe të zezë. Një fëmijë rreth 9 vjeç, që ishte në tribunën qendrore, pyeti të atin. “O ba, Flamurtari është ky me të kuqe?” (Fëmija e kishte fjalën në fakt për Skënderbeun).

KAMARA – Afrikani i Flamurtarit, Seku Kamara, përlotet në fushë. Lojtari është parë duke qarë, teksa ka lënë fushën e lojës dhe është zëvendësuar. Sulmuesi u dëmtua në minutën e fundit të pjesës së parë dhe u zëvendësua menjëherë me Mamadou Tunkara.

BATUTAT – Prefekti i Qarkut, Flamur Mamaj, gjen kohën të bëjë batuta me gazetarët. Një prej gazetareve femra i thotë prefektit që të mos vijë më në stadium, pasi gjithmonë Flamurtari humbet. “O prefekt, mos hajde më në stadium. Sa herë ju vini, ne kemi humbur”. Prefekti e pret me buzëqeshje këtë batutë, duke i thënë se do fitojnë herës tjetër.

GAVAZAJ – Mesfushori i Skënderbeut, Enis Gavazaj, fiton respektin e tifozëve vlonjatë. Në momentin që ai del nga fusha, teksa zëvendësohet nga Sahiti, tifozët vlonjatë e kanë duartrokitur gjatë. Vetë lojtari i ka përshëndetur ata përzemërsisht, duke vendosur dorën në zemër.

TIFOZËT – Nuk kishte më shumë se 1500 tifozë, ndërsa thuajse gjatë gjithë kohës nuk i kursyen fyerjet dhe këngët kundër Skënderbeut dhe lojtarëve të tij. Shumica e tyre janë larguar pa përfunduar takimi. Madje kanë kontestuar edhe lojtarët kuqezi, ashtu sikundër edhe pankinën me në krye trajnerin Shpëtim Duro.

POLICIA – Forca të shumta policore kanë qenë dje në stadium. Jo vetëm të Komisariatit të Vlorës, por për mbarëvajtjen e takimit kishin ardhur edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Fieri. Dje, çdo gjë eci qetësisht dhe nuk u shënua asnjë incident gjatë ndeshjes.

DAJA – Ndryshe nga kolegu i tij, Duro, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është shfaqur i buzëqeshur në konferencën për shtyp. Daja është përfshirë nga batutat me gazetarët lokalë, teksa i thonë. “Ju lutemi profesor vetëm mos na flisni me eufori të madhe”. “Jo, jo do përmbahem”, u përgjigj Daja. Një tjetër gazetar i thotë. “Po ju mos ikni, qëndroni në Vlorë se erdhi ndeshja e Kupës”. Daja i përgjigjet: “Do rrinim me kënaqësi, por kemi ndeshjen e kampionatit të shtunën”.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"