PESHËNGRITJE/ Akuzat e Toskës, Gjoza shfajëson ministrinë: Ja pse u vonuan shpërblimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 9:35

PESHËNGRITJE/ Akuzat e Toskës, Gjoza shfajëson ministrinë: Ja pse u vonuan shpërblimet

Pas shpërthimit të trajnerit të peshëngritjes, Leonard Toska, ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për çështjen e vonesave në shpërblimin e medaljeve të Ertjan Kofshës, si dhe për vendosjen gabimisht të Sokol Bishanakut si trajner për arritjet e Botërorit U-20, ka reaguar edhe Elez Gjoza.

GJOZA

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes në një prononcim për “Panorama Sport” thotë se gjithçka ka ardhur për shkak të një lapsusi. Gjoza shfajëson tërësisht ministrinë për këtë situatë, ndërsa bën të ditur se tashmë çështja është zgjidhur.

“Në gjithë këtë vorbull, ka qenë një lapsus nga ana e sekretares së federatës, e cila ka dërguar një shkresë për shpërblimin e medaljes së bronztë në Botërorin U-20, pa emrin e trajnerit.

Ky lapsus bëri që ministria më pas ta nxirrte urdhrin me emrin e trajnerit Sokol Bishanaku”, deklaron fillimisht Gjoza.

Ndryshe nga Toska, i cili akuzoi se po mashtrohej rregullisht nga ministria, kreu i FSHP-së thotë se institucionet e sportit në MAS janë treguar tepër korrekte për ta zgjidhur këtë problem.

“E kuptoj shumë mirë shqetësimin e trajnerit, pasi Leonardi është në një presion të madh nga sportisti dhe familja e tij.

Ne jemi sport individual dhe kuptohet karakteri se si janë ata që bëjnë sport individual, janë shumë impulsivë.

Unë, duke qenë së e përjetoj shqetësimin e sportistëve apo të trajnerëve, mora Leonard Toskën dhe shkova në drejtorinë e sporteve në ministri, që është edhe institucioni nga i cili varemi.

Në ministri me shumë korrektesë na vunë shkresën në dispozicion me VKM-në për t’u shpërblyer sportisti Ertjan Kofsha dhe trajneri Toska. Kjo shkresë tashmë ka shkuar edhe në thesar.

Pra është bërë një VKM tjetër me urdhër të ministres për shpërblimin, që brenda këtij viti Kofsha dhe trajneri Toska do të marrin të gjitha lekët për medaljet dhe rezultatet e arritura për çdo garë. Ministria është treguar shumë e gatshme për ta rregulluar këtë lapsus dhe tashmë gjithçka mund ta quajmë të përfunduar”, deklaron Gjoza.

VONESAT – Janë bërë rreth 7 muaj nga medalje e bronztë e Kofshës në Botëror ndërsa gjithashtu kanë kaluar edhe afatet për shpërblimin tri medaljet e arta në Europian. Por sipas Gjozës të gjitha këto vonesa kanë ardhur nga një kalendar i ngjeshur si asnjëherë tjetër me gara për peshëngritjen shqiptare:

“Vonesat kanë ardhur për shkak se kemi pasur shumë aktivitete, në të cilat kemi dërguar sportistët, duke fituar shumë medalje dhe rrjedhimisht kanë qenë të shumta edhe shpërblimet.

Pra duke qenë shumë shpërblime, janë pritur edhe përgjigjet e të gjitha analizave antidoping, të cilat mund të zgjasin rreth 1 apo 2 muaj, e më pas ne ua përcjellim ministrisë.

E përsëris se gjithçka ka ardhur prej një kalendari të ngjeshur garash, pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë që Shqipëria të përfaqësohet në kaq shumë evenimente të rëndësishme ndërkombëtare të peshëngritjes.

Kjo ka bërë që edhe procedurat në ministri të kërkojnë më shumë kohë. Këtë gjë ia kam shpjeguar edhe trajnerit, të cilit i kam thënë se kemi një lapsus që duhet ta pranojmë, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi gjithçka është zgjidhur”, përfundon kreu i FSHP-së.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

PESHËNGRITJE/ Lekët e medaljeve, akuza nga Toska: Në ministri mashtrojnë! (DOKUMENTI)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"