PESHËNGRITJE/ Lekët e medaljeve, akuza nga Toska: Në ministri mashtrojnë! (DOKUMENTI)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2022 | 9:24

PESHËNGRITJE/ Lekët e medaljeve, akuza nga Toska: Në ministri mashtrojnë! (DOKUMENTI)

Vetëm pak javë nga konflikti për shpërblimin e trajnerit në medaljen europiane të Erkand Qerimajt, peshëngritja shqiptare është përfshirë në një tjetër përplasje. Këtë herë është trajneri Leonard Toska, ai që denoncon për “Panorama Sport”, moslikuidimin nga shteti të medaljeve që ka fituar peshëngritësi i tij, Ertjan Kofsha, ndonëse tashmë kanë kaluar të gjitha afatet kohore.

LEONARD TOSKA

“Nuk na është dhënë akoma shpërblimi i Kampionatit Botëror U-20, aktivitet ku Ertjani fitoi medalje bronzi. Bëhet fjalë për një garë të para 7 muajve, më konkretisht të mbajtur më datë 2 maj.

Më tej kemi tri medalje ari në Kampionatin Europian U-17, aktivitet që është bërë në Varshavë më datë 13 gusht. Kanë kaluar të gjitha afatet për likuidimin, ashtu sikurse thotë edhe qeveria.

Analizat e dopingut kanë ardhur të gjitha në rregull, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë lekë”, deklaron trajneri shtërmenas.

Më tej Toska shpërthen ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, teksa thotë se e kanë përcjellë me mashtrime sa herë ka vajtur në këtë institucion:

“Deri më tani kemi marrë vetëm mashtrime nga ministria, një herë na thonë se i kemi dërguar në thesar.

Më pas na thonë do t’i kalojmë nesër, duke na përcjellë me lloj-lloj gënjeshtrash”.

Duke marrë shkas nga këto probleme, trajneri deklaron se sportistët po largohen nga shtanga:

“Jemi në një situatë alarmante dhe duke parë këto gjëra, peshëngritësit janë mërzitur aq shumë sa po na ikin çdo ditë nga palestrat.

Ertjan Kofsha është i vetmi talent që ka Shqipëria sot për sot dhe po e detyrojnë që të heqë dorë nga sporti, gjë që do të sillte një goditje të madhe dhe një falimentim për peshëngritjen shqiptare, pasi nuk ka njeri tjetër që të zëvendësojë Briken Caljen dhe Erkand Qerimajn”.

DOKUMENTI TOSKA (1)

Faksimile e dokumentin të ministrisë, ku thuhet se shpërblimi i kalon trajnerit Sokol Bishanaku dhe jo Leonard Toskës

Në fund, në denoncimin e tij, Leonard Toska zbulon një megaskandal, që ka të bëjë me ndryshimin e emrit të trajnerit që i takon shpërblimi.

Trajneri akuzon drejtpërdrejt ministrinë për këtë, duke paraqitur një dokument për gazetën, në të cilin si trajner i Kofshës në Botërorin e Kretës, çuditërisht figuron Sokol Bishanaku, emri i të cilit figuronte edhe te denoncimi i Zef Kovaçit.

“Në federatë erdhi një shkresë dhe në emrin e shpërblimit ishte ai i Sokol Bishanakut, diçka komplet pa lidhje. Kemi kërkuar shpjegime në ministri, por nuk na kanë kthyer asnjë përgjigje.

Madje na janë përgjigjur me arrogancë, ku drejtoresha Rovena Elmazi na thotë se ne paskemi bezdisur ministren për këtë çështje.

Nuk po kërkojmë asgjë më tepër, por vetëm atë që na takon me ligj, ndërsa po përballemi çdo ditë me mashtrues në ministri”, përfundon trajneri Toska.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"