Përqendrimi çalon ende, me Atalantën prova e vërtetë për Juventusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 0:11

Përqendrimi çalon ende, me Atalantën prova e vërtetë për Juventusin

Debatet mund të ishin mbyllur në atë mënyrë që, përballja direkte e 20 korrikut kundër Lacios, të luhej pa presion, pse jo edhe për të provuar, eksperimentuar dhe gjetur ritmin në pritje të rifillimit të Champions-it, më 7 ose 8 gusht, për duelin e kthimit kundër Lionit.

Coppa-Italia-Final-Napoli-Juventus-Ronaldo

Por jo, kjo Juve ka dëshirë që kundër Milanit të vendosë të mbajë ende të hapur luftën për titull, por në të njëjtën kohë vendos që të ndezë me vetëdije sirenat e alarmit bardhezi. Tre gola të pësuar në pesë minuta nga mbrojtja më pak e mposhtur e Serisë A, e cila kishte pësuar vetëm 2 gola në 4 ndeshjet e fundit, duhet të nxisin menjëherë një reflektim të rëndësishëm.

Është e vërtetë që ndaj Milanit mungonte De Ligt për skualifikim, Kielini është ende jashtë për të mos rrezikuar dhe Bonuçit iu desh që dyshen e mbrojtjes ta ndërtonte me një Rugani të ndryshkur, në daljen e parë sezonale postkoronavirus. Por as kjo nuk mjafton për të shpjeguar, madje për të justifikuar atë fikje totale të frikshme…

Nuk ndodhte nga tetori 2013 kundër Fiorentinës që Juventusi të humbte një ndeshje në Serinë A, pasi ishte në avantazh të dy golave. Dhe gjithmonë nga data në fjalë skuadra bardhezi nuk pësonte 3 gola në xhiron e 5 minutave (ndaj Fiorentinës i pësoi për 4 minuta). Këta numra edhe pse mund të shërbejnë vetëm si statistikë, pa i hequr asgjë Milanit madje, minojnë siguritë që garanton formacioni i stërvitur nga Mauricio Sarri.

Po, është gjithashtu e vërtetë që avantazhi ndaj Lacios mbetet 7 pikë, por të shtunën në “Allianz Stadium” do bëjë vizitë Atalanta e Gasperinit, skuadra “vdekjeprurëse” e këtij kampionati “post-COVID”, në pritje të përballjes direkte me bardhekaltrit. Dhe nëse Milani përmbysi dhe u ekzaltua, pasi shkoi në disavantazh të dy golave, kundër Atalantës, Juventusi rrezikon që nëse ngec sërish psikologjikisht, të vuajë një disfatë, e cila mund t’i hapë edhe më shumë telashe që në fillim të takimit.

Fatkeqësisht, këto amnezi nga ana e skuadrës së Sarrit nuk janë thjesht aksidente, pasi janë përsëritur disa herë, por nëse ky i “San Siro”-s ka qenë thjesht një luhatje psikologjike që e ofroi pa dashur avantazhi prej dy golash ndaj Milanit, atëherë pikërisht ndeshja me Atalantën do të jetë testi i të vërtetës për Juventusin, që kërkon të vërë sa më shpejt dorën te titulli i nëntë radhazi, në Serinë A.

Fatkeqësisht, në këtë periudhë nuk ka as kohë për analizë, prandaj në pritje të Atalantës, e cila nuk fal jo vetëm ulje rendimenti fizik, por as shpërqendrime 4-5 minutëshe, nevojitet që humbja e “San Siro”-s të llogaritet thjesht si një ëndërr e keqe dhe Juvja të zgjohet nga gjumi e të rikthehet skuadra që dominoi 4 ndeshjet e para kundër Torinos, Leçes, Xhenoas e Bolonjës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"