Përmbysje e Teutës ndaj Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2013 | 13:30

Përmbysje e Teutës ndaj Bylisit

Teuta-Bylis 2-1TEUTA-BYLISI 2-1
GOLAT: Ahmataj 70′, D.Xhafaj 84′ / Kuli 44′
TEUTA: Rizvani, Idrizi, Jakupi, R.Hoxha (Dosti 46′), Da Silva, Nika (Deliallisi 84′), Osmani, Hodo, Ahmataj, D.Xhafaj, Mustafaji (Muriqi 53′). Trajner: G.Magani
BYLISI: Haxho, Shoshi, Llënga, Ristevski, Idrizi, Kehinde, Gërxho, Meto, Kuli, Xhejms, Foniqi (Ebere 68′). Trajner: E.Egbo
KARTONË TË VERVDHË: Meto 45′, Llënga 60′
VËZHGUES: P.Pjetrushi (Lezhë)
DELEGAT: P.Brahja (Tiranë)
GJYQTARET: D.Jubica, D.Salaj, M.Dervishi (Shkodër);

MINUTAT
13′ Kuli gjuan fort, por pret me lehtësi Rizvani.
21′ Top i lartë në zonë, përpiqet Daniel Xhafaj, por pa sukses.
24′ Kuli krijon një rast ideal për të shënuar, por ndërhyn Nika, duke ia ndalur hovin drejt rrjetës.
37′ Foniqi hyn në zonë dhe gjuan fort, por portieri Rizvani nuk lejon prekjen e rrjetës.
44′ Kuli lëshon një predhë në hyrje të zonës, duke shënuar një eurogol të vërtetë. Dhe 0-1.
55′ Gjuan Da Silva, por topi përfundon në duart e Haxhos.
70′ Ahmataj merr një top në zonë dhe gjuan prerazi, duke mposhtur portierin e Bylisit Haxho. Dhe 1-1.
78′ Gjuan Ahmataj, topi i shpëton nga duart Haxhos, i gjendur aty pranë Xhafaj kërkon të përfitojë, por topi largohet nga lojtarët ballshiotë.
84′ Sulmuesi Daniel Xhafaj përfiton nga kthimi i topit nga një qendërmbrojtës mik dhe gjuan me kokë, duke dyfishuar rezultatin.

Teuta ka përmbysur rezultatin ndaj Bylisit, në takimin e parë të kampionatit të zhvilluar në Kavajë, për shkak të rikonstruksionit të stadiumit “Niko Dovana”. Kanë qenë ballshiotët ata që kanë shënuar të parët, por durrsakët kanë bërë gjithçka mirë në të dytën, duke e nisur kështu me “këmbë të mbarë” edicionin e 75-të kombëtar të futbollit. Një pjesë e parë me një Bylis dominant dhe një e dytë me një Teutë që shkëlqen, ku rezultatin e vulos Daniel Xhafaj. Kjo ka qenë tabloja e takimit të djeshëm, i cili nisi me 1 minutë heshtje në nderim të ish-trajnerit Artan Bushati.
Pjesa e parë – Loja nis e shpejtë për miqtë nga Ballshi, ku Bekim Kuli ishte një shërbyes i shkëlqyer për kosovarin Foniqi, i cili debutonte në Superioren shqiptare. Loja e ballshiotëve ishte e qartë, ku thuajse çdo aksion niste e përfundonte me goditje. Ka qenë pikërisht kosovari Foniqi, i cili pas një topi ideal të Kulit heziton përballë portierit Rizvani dhe ndërhyjnë mbrojtësit duke evituar golin e sigurt. Ndërkohë që deri në minutën e 35-të, Teuta nuk arrin dot të godasë asnjëherë në portën e Haxhos. Loja e “djemve të detit”, sidomos në mesfushë, ishte e turbullt, ku nuk nisën dot asnjë top për Xhafajn dhe Mustafajin, të cilët mbeten të izoluar. Bekim Kuli mendon për kurorëzimin e dominimit të Bylisit, ku në minutën e 44-t lëshon një predhë në hyrje të zonës duke shënuar një eurogol të vërtetë. Delir te miqtë, shokohen vendësit. Me avantazhin e një goli, ballshiotët do të shkonin në dhomat e zhveshjes.
Pjesa e dytë – Trajneri i Teutës, Gugash Magani, ka kuptuar se mesfusha e tij nuk ishte në ditën më të mirë dhe kryen disa lëvizje, duke aktivizuar Dostin dhe më pas Muriqin. Në këtë 45-minutësh shihet një Teutë krejtësisht tjetër, që ndërron rolet me Bylisin, duke qenë më agresive në fushë. Mesfusha durrsake nis të qarkullojë më mirë topat dhe Muriqi e Xhafaj shfaqen disa herë përpara portës. Madje, në minutën e 69-të, Muriqi çudit gjithë stadiumin, ku përballë portierit Haxho godet si qendërmbrojtës, duke e nxjerrë topin jashtë zone. Mirëpo, pa kaluar as një minutë, Ahmataj gjuan prirazi me portën, duke barazuar rezultatin. Nga ana tjetër, miqtë nga Ballshi kanë një rast të artë, me anë të Kulit, i cili jep një asist për të sapofuturin në fushë Ebere, por ky i fundit gabon përballë Rizvanit. Dhe atë që nuk e bën Bylisi, e bën Teuta me anë të bomberit Daniel Xhafaj. Pasi është përpjekur në dy raste të tjera, në minutën e 84-t ai përfiton nga kthimi i topit nga qendërmbrojtësi mik dhe gjuan me kokë, duke dyfishuar rezultatin. Për habi, loja e miqve nga Ballshi ra shumë duke përjashtuar Kulin, që mbeti truri i tyre duke kërkuar të baraspeshonte lojën, por më kot. Teuta merr tri pikët e para, duke treguar se ka pretendime këtë sezon.

MË I MIRI
Në takimin e djeshëm më i miri ishte Bekim Kuli për miqtë dhe Daniel Xhafaj për vendësit. I pari duhet thënë se ishte i kudondodhur në fushë, duke shënuar dhe eurogol. Ndërsa bomberi vlonjat tregoi “dhëmbët” duke përmbysur rezultatin. Gjithashtu edhe Ahmataj tregoi një paraqitje të mirë.

MË PAK AKTIVI
Agim Meto ishte lojtari më pak aktiv në fushën e lojës. Ndonëse pritej shumë nga mesfushori, ai nuk ishte në lartësinë e duhur. Gjithashtu, më pak aktiv në fushë ishte edhe sulmuesi Mustafaji. Ai mbeti hija e vetvetes dhe, duke parë paraqitjen e tij, Magani e zëvendëson në minutën e 53-të.

Magani: Më kënaqi vetëm pjesa e dytë
Trajneri i Teutës, Gugash Magani, pas përfundimit të takimit u shpreh: “Zhvilluam një pjesë të parë të dobët, nën mundësitë tona. Kundërshtari përfitoi nga loja jonë apatike e, për pasojë, na ndëshkoi. Në fraksionin e dytë kemi reaguar duke bërë më së miri detyrën. Treguam karakter të lartë dhe triumfi ynë në marrjen e tri pikëve të para ka ardhur falë lojës plot grintë e rritjes së presionit te zona e porta kundërshtare. Ndërrimet e kryera i dhanë më shumë freski manovrës sulmuese, qarkulluam më mirë topin dhe krijuam aksione nga të cilat erdhi edhe zhbllokimi i rezultatit. Falënderoj edhe tifozerinë durrsake për mbështetjen e fuqishme që na dha”. Ndërsa homologu i tij, trajneri i Bylisit, Emanuel Egbo, i cili e nisi me humbje debutimin në krye të pankinës ballshiote, nuk preferoi të prononcohej pas përfundimit të ndeshjes, duke u larguar.

Heroi Xhafaj: Do të vazhdoj me gola
Daniel Xhafaj i dha dje fitoren ekipit durrsak, me një gol shumë të bukur me kokë. Sulmuesi vlonjat nuk është ndier mirë gjatë takimit nga kontestimet e një pakice tifozësh. Megjithatë, në fund ai ka justifikuar gjithçka, duke iu përgjigjur kritikave me gol. “Edhe pse u lëshuan thirrje jo normale, unë falënderoj tifozët durrsakë për mbështetjen që më kanë dhënë. U bëj thirrje që Teutën ta mbështesin deri në sekondën e fundit. Golin ua dedikoj shokëve të skuadrës dhe u premtoj të gjithëve se do të vazhdoj të luaj me dëshirën për të shënuar sa më shumë me Teutën. Ndihem mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme”, – ka thënë Xhafaj.
FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"