Perisiç: Pas 20 vitesh bëjmë ëndrrën realitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2018 | 14:58

Perisiç: Pas 20 vitesh bëjmë ëndrrën realitet

Perisiç u kthye që të bënte “Ivanin e tmerrshëm” në ndeshjen që Kroacia kishte më shumë nevojë për të, duke shënuar një gol me një fluturim “alla Ibrahimoviç” dhe më pas ofroi me kokë asistin për golin e fitores së Mario Manxukiçit. Mesfushori ofensiv i Interit shpallet njeriu i ndeshjes nga FIFA, por mbi të gjitha i ka dhuruar vetes ëndrrën më të madhe të jetës së tij.

perisic

“Është e pamundur ta përshkruaj atë që mund të ndiej në këtë momente, sepse nuk më besohet sesi kanë kaluar kaq shpejt 20 vite. Nëse në 1998-ën isha vetëm një fëmijë i vogël dhe ëndërroja si tifoz që Kroacia e asaj kohe të luante një finale në Botërorin francez, tashmë do të kem unë mundësinë që të luaj një finale të tillë, pikërisht kundër Francës… Është një çmenduri, por sivjet do të jetë totalisht një histori tjetër, – shprehet futbollisti i Interit. – E dimë që ndoshta Franca do të vijë si favorite në këtë finale të Moskës, por ne do të jemi dyfish më të rrezikshëm, sepse nuk kemi asgjë për të humbur.

9b88dcfa61a44788b8cf9b1ab93c7f7f

Ashtu siç kemi treguar në këto tri ndeshje të fundit, ne kemi mposhtur jo vetëm rivalët që kemi pasur përballë, duke kaluar tri shtesa loje dhe dy ruleta penalltish, por kemi mposhtur lodhjen e madhe dhe kemi ende forca për të luftuar në këtë ndeshje, të cilën e kemi merituar dhe fituar duke derdhur shumë djersë në fushë. Ky grup ka karakter, ka cilësi, ka gjithçka që i nevojitet një skuadre të vërtetë për të realizuar ëndrrën dhe për të arritur te trofeu më i rëndësishëm, Kupa e Botës. Kjo Kroaci e meriton, ka ardhur deri këtu e shtyrë jo vetëm nga një grup prej 23 lojtarësh, por nga një komb i tërë, i cili do të ketë mundësinë të na mbështesë edhe në natën më të bukur të futbollit tonë. Ne do të luftojmë për t’i bërë të gjithë të lumtur”, përfundoi Perisiç.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"