Përballja me Lushnjën, flet Perja: Rezultati më logjik do të ishte barazimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2019 | 11:30

Përballja me Lushnjën, flet Perja: Rezultati më logjik do të ishte barazimi

Pa dyshim që kryendeshja e kësaj jave në Kategorinë e Parë është Lushnja-Besa, që luhet në stadiumin “Roza Haxhiu”. Ndeshen dy nga ekipet më të vjetra në Shqipëri, që kanë bërë histori edhe në Superiore. Kavajasit vijnë në këtë ndeshje pas fitores me Elbasanin dhe nuk duan të shkëputen nga rezultatet pozitive, pasi një hap të gabuar e bënë që javën e parë në fushën e Orikut.Besa

Drejtuesit e Besës janë shfaqur disi të rezervuar për këtë transfertë. Në fakt, “Roza Haxhiu” është shtëpia e dytë e kavajasve, sepse ata luajnë si pritës në këtë stadium, duke qenë se në stadiumin e tyre po bëhen ende punime.

Mbrojtësi kavajas, Skerdilajd Perja, një nga titullarët kryesorë të Besës që e njeh kundërshtarin mjaft mirë, e çmon atë për vlerat që ka. Sipas tij, në ballafaqime të tilla rivalësh nuk mund ta parashikosh rezultatin. “Gjithnjë përballjet mes Lushnjës dhe Besës kanë dhuruar garë të fortë sportive dhe futboll të bukur. Ata kanë një grup me lojtarë me përvojë, ndërsa ne e kemi ndryshuar shumë grupin në këto sezonet e fundit. Si Lushnja, ashtu edhe Besa, e kanë shpalosur hapur objektivin e tyre, që është i njëjtë, kthimi në Superiore. Kjo do të thotë se në këtë ndeshje skuadrat do të mundohen t’i rrëmbejnë pikë njëra-tjetrës, pasi janë rivale direkte. Nuk përjashtohet asnjë rezultat. Të dyja ekipet janë të denja për ta fituar ndeshjen dhe ndoshta barazimi mund të ishte rezultat më logjik. Lushnja ka favorin e mbështetjes së tifozëve të saj, por besoj se edhe ne do të kemi tifozë në Lushnjë, kështu që do të luajmë në një atmosferë të bukur. Rezultatin le t’ia lëmë fushës”, ka thënë Perja për “Panorama Sport”.

Në ndeshjen e fundit me Elbasanin, te Besa u bë çështje sulmi, që humbi shumë raste. Një gabim i tillë në sfidën e sotme do të ishte fatal për kavajasit, pasi Lushnja është një kundërshtar “i pamëshirshëm”, që nuk të fal. Lojtarët e saj të ndëshkojnë në çdo moment dhe për kavajasit është shumë e qartë se duhet të gabojnë sa më pak në mbrojtje dhe të jenë efikasë në sulm.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"