“Për sulmin mendojmë pas janarit”, Martini: Më dhemb Flamurtari, por dua vetëm tri pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2019 | 8:48

“Për sulmin mendojmë pas janarit”, Martini: Më dhemb Flamurtari, por dua vetëm tri pikë

Trajneri i Teutës, Edi Martini, mendon se fitorja në Vlorë e skuadrës së tij është detyrim pas tri pikëve të marra ndaj Partizanit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, kreu i pankinës durrsake preku disa tema në lidhje me takimin ndaj Flamurtarit, ndërsa shprehu edhe keqardhjen e tij për faktin që Vlora po përjeton një moment kritik.ed-martini

Edi, mendoni se ndeshja ndaj Partizanit ishte një pikë kthese për sezonin e Teutës?

Unë mendoj që ishin tri pikë të rëndësishme për vazhdimësinë. Duhet të fitonim me patjetër, duke parë që kishim një kundërshtar shumë të fortë. Kam falënderuar të gjithë lojtarët një e nga një për shpirtin e garës. Kemi bërë çerek pune, sepse rruga është shumë e gjatë.

Cila është atmosfera në skuadër në prag të ndeshjes me Flamurtarin?

Natyrisht që fitorja gjithmonë sjell pozitivitet në stërvitje. Megjithatë, unë këtë pozitivitet e kam parë që ditën e parë që kam ardhur. Gjendja është optimale, djemtë e kanë kuptuar se pikët janë shumë të rëndësishme dhe duhet të tentojmë të fitojmë me patjetër.

Kjo është ndeshja e fundit për këtë vit, çfarë prisni dhe sa e vështirëson fakti që kundërshtarit i duhen patjetër pikë?

Ky takim është i rëndësishëm njësoj si përballë Partizanit. Madje, nëse ndaj Partizanit kishim hije dyshimi për fitoren, kjo është më e vështirë si ndeshje. Është e domosdoshme që duhet të fitojmë. Unë kam miq dhe shokë në Vlorë, por të them të drejtën më dhemb fakti që Flamurtari është në këto pozita, sepse e dua si qytet, e dua edhe si karakter. Është një klub legjendë. Gjithsesi, për ne është një ndeshje që patjetër duhet ta fitojmë, me gjithë respektin që unë ruaj për atë qytet.Teuta festa e golit (1)

Është detyrim fitorja?

Detyrim është, pasi çdo ndeshje luhet për t’u fituar. Respektojmë çdo skuadër, por ajo që ne kërkojmë është që në fushë të fitojmë me patjetër. Pak gola të shënuar dhe sulmi që vazhdon të jetë problem.

Çfarë duhet të bëni për ta rregulluar?

Për mua, në këto momente të rëndësishme janë pikët. Do dëshiroj që edhe në Vlorë të fitoja me një gol. Për të tjerat ka kohë të mendojmë.

Gjithsesi, merkatoja e janarit është në prag…

Merkatoja e janarit ka një specifikë tjetër. Do flas në kohën e duhur.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"