Pauza e Kombëtares, te Kukësi duan të riaftësojnë të dëmtuarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2023 | 9:40

Pauza e Kombëtares, te Kukësi duan të riaftësojnë të dëmtuarit

Pauzat e kampionatit në momente të caktuara vijnë pikërisht në momentin e duhur për disa skuadra. E tillë mund të konsiderohet edhe për Kukësin, i cili nuk vinte në një moment shumë pozitiv në takimet e fundit në kampionat. Kjo, e lidhur në njëfarë mënyre me dëmtimet dhe rezultatet e koleksionuara në dy javët e fundit. Ndaj, me këtë ndalesë më shumë se dyjavore, në Kukës do të kenë mundësi të rregullojnë disa gjëra gjatë kësaj periudhe.

kukesi

DËMTIMET – Kukësi është një ndër skuadrat që nuk ka gjetur shumë qetësi sa u përket dëmtimeve, thuajse në asnjë moment tekniku Stavri Nica nuk e ka pasur të plotë skuadrën që drejton dhe shpeshherë i është dashur të bëjë arnime në takime të caktuara. Edhe ndaj Tiranës skuadra kishte jo pak mungesa për arsye dëmtimesh.

Tani skuadra do të ketë pak më shumë se dy javë pushim për shkak të ndeshjeve të Kombëtares dhe në Kukës po qëndrojnë gjithë shpresë që të rikuperojnë futbollistët e dëmtuar. Afrikanët Daniel Momoh dhe Abdou Mbarak apo edhe mesfushori Françesko Hasaj, me këtë të fundit që ka edhe një dëmtim më të rëndë.

Pa harruar as sulmuesin Atdhe Rashiti që ende nuk ka ardhur në kontingjentin e tij maksimal, ndonëse është përdorur herë pas here nga Nica në minuta të caktuara në fushë.

Kjo periudhë ndoshta do t’i bëjë punë stafit mjekësor të rikthejë në formën e tyre më të mirë edhe t’i ketë të gatshëm pas pushimeve, ku dihet që kampionati sa vjen edhe bëhet më i fortë.

ECURIA – Në fakt, në dy ndeshjet e fundit Kukësi vinte pas një humbjeje me Egnatian dhe barazimi me Dinamon, duke e konsideruar si periudhë jo të mirë, duke pasur parasysh ngjitjen që bënë verilindorët në javët e fundit.

Thuhet kështu, pasi në gjashtë javët paraardhëse arritën të merrnin plot katër fitore dhe një barazim, duke nxjerrë në pah ndoshta edhe potencialin që drejtuesit prisnin nga skuadra.

Për këtë arsye, në dy ndeshjet e fundit edhe stonuan pak dhe prishën atë ecuri pozitive. Tani, pas pauzës së kampionatit kanë mundësinë që të bëjnë edhe analizat e duhura më me qetësi dhe të shpresojnë të rikthehen te fitoret.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"