Partizani në provë force, kalendar “ferri” për të kuqtë. 4 transferta në 13 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2020 | 12:05

Partizani në provë force, kalendar “ferri” për të kuqtë. 4 transferta në 13 ditë

Partizani u jep fund sot përgatitjeve në Antalia dhe duke nisur nga nesër, skuadra do të nisë punën në kryeqytet për fillimin e pjesës së dytë të sezonit. Kampionët në fuqi i pret një kalendar “ferri”, pasi në kuadrin e 13 ditëve, 21 janar- 2 shkurt, kanë për të luajtur katër ndeshje në transfertë. 

Partizani miqesorja

Java e shtyrë, për shkak të tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, bëri që të mos përfundonte në kohë faza e dytë e kampionatit dhe kjo bën që kalendari të jetë shumë i ngjeshur për skuadrat e Superiores në këtë fillim viti. Sikur të mos iu mjaftonte ngjeshja, të kuqtë kanë kundër edhe faktorin fushë, pasi të katër ndeshjet e para, tre në turin kampionat dhe një për fazën e dytë të Kupës së Shqipërisë do ta luajë në transfertë. Për ta përballur me sukses duhet që skuadrat të jenë të përgatitura mirë fizikisht, sa më të plota dhe me alternativa në stol.

Partizani

Ky kalendar “ferri” mund të shikohet edhe si busull për vazhdimësinë e Partizanit, i cili nga 4 janari drejtohet nga trajneri i ri Adolfo Sormani. Aventura e dytë e 54-vjeçarit në krye të “demave” nis më 21 janar në transfertën e Korçës. Me duelin ndaj Skënderbeut, mbyllet faza e dytë për Partizanin.

kalendari

Më 26 janar, sipas kalendarit, luajnë në transfertë me Kukësin për javën e 19-të. Por, ky takim më shumë është transfertë për verilindorët, pasi sfida do të luhet në kryeqytet në stadiumin e ri kombëtar “Air Albania”.

Më 29 janar, turi i të kuqve zhvendoset në Lezhë, ku do të luajë ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës ndaj Besëlidhjes. Më pas, kanë një tjetër vizitë në jug të Shqipërisë, në Gjirokastër, ku më 2 shkurt kanë përballjen e javës së 20-të të kampionatit ndaj Luftëtarit. Në këto katër sfida, mungesa të sigurta janë Deian Boldor dhe Uliam Melo, që janë pezulluar nga Disiplina.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"