Partizani në identitet, Vila rikthehet në të djathtë të mesfushës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2016 | 10:21

Partizani në identitet, Vila rikthehet në të djathtë të mesfushës

Transferimi i Renato Arapit në Turqi dhe gjendja jo e mirë fizike e Renaldo Kalarit kanë bërë që trajneri Adolfo Sormani të mendojë një rreshtim të ri për Partizanin për ndeshjen e sotme ndaj Krasnodarit. Në dallim nga formacioni që luajti në Rusi para një jave, sot parashikohen disa modifikime në rreshtimin e skuadrës.

partizani krasnodar

Ashtu si në Krasnodar, edhe kësaj radhe pritet që eksperimentet në mbrojtje të vijojnë. Ndryshimet do të jenë të prekshme dhe risia e radhës është pozicionimi i Arbnor Fejzullahut si mbrojtës i majtë, ndërsa Sodiq Atanda do të rimarrë rolin e titullarit si qendërmbrojtës.

Ky rreshtim i mbrojtjes është përdorur edhe në sezonin e shkuar në situata të veçanta nga ish-trajneri Andrea Agostineli. Duke ditur vlerat dhe forcën e kundërshtarit, kërkohet që të enjten mbrojtja të jetë sa më e kujdesshme në veprime dhe jo pa qëllim dje vëmendja kryesore i është kushtuar punës me këtë repart.

partizani1

Ndërsa në sektorët e tjerë ndryshimet do të jenë minimale. Në dallim nga ndeshja e parë, ku Bardhi luajti në vend të Filit, kësaj radhe është Emiljano Vila ai që ka fituar balotazhin me dy lojtarët e rinj. Nëse në Rusi, Vila luajti mbrojtës i majtë, sot durrsaku pritet të pozicionohet në rolin e tij të zakonshëm, si mesfushor i djathtë. Ndërsa pjesa tjetër e formacionit mbetet e pandryshuar.

partizani

Në seancën e fundit që u zhvillua në “Elbasan Arena”, trajneri Sormani ka praktikuar disa skema loje me ekipin. Pritet që ekipi të jetë më i kujdesshëm kur kundërshtari kalon në kundërsulm. Sfida e sotme me rusët pritet që të jetë testi i parë i Partizanit të sezonit të ri në kampionat. Pra, pak a shumë, ky takim shkon në funksion të fillimit të sezonit të ri për të kuqtë e kryeqytetit.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"