Partizani i “falet” kompleksit Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2012 | 12:58

Partizani i “falet” kompleksit Dinamo

Pas më shumë se dy muaj mungesë, dje Partizani u rikthye që të zhvillonte stërvitjen e radhës në ambientet e kompleksit Dinamo. Të kuqtë, gjatë kësaj periudhe ishin përgatitur në kompleksin stërvitor në Kamzë, por problemi i vetëm në këto ambiente ka qenë gjatë ditëve të fundjavës, kur luajnë edhe ekipet e moshave. Ndërkohë, dje lojtarët e kuq u përfshinë në një kaos total, për sa i përket vendit se ku do të zhvillonin seancën stërvitore. Pasi ishte marrë lajmërimi që një ditë më parë se në Kamzë nuk kishte një fushë të lirë, lojtarët e kuq u lajmëruan se do të zhvillonin stërvitje në Yrshek, te fusha e Olimpikut. Por edhe aty fusha ishte e zënë, për shkak të impenjimeve të ekipeve të moshave të Olimpikut, ndaj vendi i stërvitjes u ndryshua sërish, ndërkohë që një pjesë e vogël e lojtarëve u lajmërua me vonesë dhe kishte shkuar në Yrshek. Por dje, duke qenë se ekipet e moshave të Partizanit kishin ndeshjet e tyre të kampionatit, presidenti Sallaku e spostoi skuadrën te kompleksi Dinamo për të zhvilluar stërvitje aty rreth orës 17:00.
Stërvitja – Për rreth 90 minuta trajneri Nikolin Çoçlli punoi me ekipin e tij në kuadër të ndeshjes së radhës, që Partizani do të ketë ndaj Naftëtarit në shtëpi. Duke parë edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera, të kuqtë kanë mundësinë që të rimarrin vendin e dytë në renditje, në rast se fitojnë. Për këtë arsye, trajneri Çoçlli u ka kërkuar lojtarëve të tij përqendrim maksimal dhe zbatim të skemave tekniko-taktike. Gjithashtu, ai kërkoi edhe finalizimin e aksioneve nga ana e sulmuesve, në mënyrë që trepikëshi të mos vihet në diskutim në asnjë moment. Ndërkohë në këtë takim të kuqtë do të kenë edhe mbështetjen maksimale të tifozërisë së tyre, e cila ka premtuar se do të jetë e shumtë në shkallët e stadiumit.
Armand Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"