Partizani gjen fitoren, e mund Bylisin me dy penallti. Sampaio: Ja pse ndërrova kapitenët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2014 | 12:04

Partizani gjen fitoren, e mund Bylisin me dy penallti. Sampaio: Ja pse ndërrova kapitenët

Partizani-Bylis 2-0, kryesorePARTIZANI-BYLISI 2-0
GOLAT: Memelli 5’(11-m), 45’(11-m)
PARTIZANI: Hoxha, Murati, G. Krasniqi, Rrahmani, Ibrahimi, Demiri (Maliqi 62’), Antanasijeviç, B. Krasniqi (Pliska 72’), Mazrekaj (Hysenbelliu 84’), Nexhipi, Memelli. Trajner: M. Sampaio
BYLISI: Ruçi, Doshlaku, Guga, Basriu, Kelmendi, Kurti, Sulkja, Tahiraj (Ikpe 46’), Bakiu, Shillova (Kuli 46’), Bordon. Trajner: E. Egbo.
KARTONË TË VERDHË: Hysenbelliu 85’, Maliqi 94’ / Basriu 27’, Doshlaku 44’
VËZHGUES: Lirim Çuko
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: D. Jubica, D. Salaj, M. Dervishi (Shkodër)

MINUTAT
4’ Memelli pengohet në zonë nga Guga dhe gjyqtari akordon 11-metërsh.
5’ Memelli merr përsipër gjuajtjen nga pika e bardhë dhe shënon, 1-0 për Partizanin.
6’ Memelli shërben për B. Krasniqin, gjuan, pret portieri Ruçi. 12’ Bakiu provon nga distanca, topi përfundon jashtë.
16’ Goditje këndi për Partizanin. Nexhipi e dërgon topin në zonë, Rrahmani gjuan me kokë, pret portieri ballshiot.
25’ Kundërsulm i të kuqve, në fund është Ibrahimi që gjuan në pozicion diagonal, pret portieri Ruçi.
36’ Mazrekaj vepron bukur nga e majta, krijon hapësirë dhe në hyrje të zonës gjuan drejt portës, por topi përfundon jashtë.
44’ Mazrekaj nga e majta manovron bukur me topin, hyn në zonën mike dhe aty pengohet nga mbrojtësi Doshlaku dhe gjyqtari Jubica nuk heziton, akordon penallti.
45’ Penalltinë e dytë e merr përsipër ta gjuajë Nexhipi, i cili e finalizon me sukses, 2-0 për Partizanin.
47’ Partizani sulmon me forca të shumta. Memelli pason te Nexhipi, i cili ia kthen sërish sulmuesit dhe ky i fundit kroson te Besnik Krasiqi, që me kokë e dërgon topin në rrjetë, por gjyqtari anësor Dervishi sinjalizon për pozicion jashtë loje.
53’ Ikpe nga e djathta hyn në zonë, gjuan dhe pret portieri Hoxha në dy kohë.
56’ Antanasijeviç lëshon një top të gjatë në zonën e Bylisit, Nexhipi e godet me kokë, por topi ndalet nga shtylla pingule.
68’ Doshlaku kthen një top prapa në mënyrë të pavullnetshme, por portieri Ruçi e pret me dorë, por gjyqtari akordon goditje dënimi dytakimshe për të kuqtë brenda zonës së Bylisit. Besnik Krasniqi shkurt te Memelli, që godet fort, por topi përplaset në murin mbrojtës.
78’ Nexhipi nga e djathta lëshon një top të bukur në zonën mike, Memelli e godet me kokë, por pret portieri Ruçi.
80’ Mazrekaj shërben një top në zonë për Pliskën, por top i goditur me kokë nga boshnjaku përfundon jashtë.

Partizani e ka nisur mbarë fazën e tretë, pasi ka fituar 2-0 takimin ndaj Bylisit. Të kuqtë e trajnerit Sampaio kanë marrë një trepikësh që i mban në zonën europiane, fitore e cila erdhi nga dy gola të shënuar në pjesën e parë nga pika e bardhë e penalltisë. Kjo është fitorja e parë e Partizanit ndaj skuadrës ballshiote, pasi në dy përballjet e para nuk ia kishin dalë, duke barazuar në Tiranë dhe humbur në Ballsh. Për “demat e kuq” rëndësi pati fitorja, sepse pas tri barazimeve radhazi ajo konsiderohej detyrim. Të besuarit e trajnerit Sampaio, në njëfarë mënyrë ishin në presionin e fitores, pasi në Durrës kishin marrë një paralajmërim nga portugezi. Ndaj Bylisit të kuqtë morën tri pikë, gjithsesi loja nuk ishte në nivelin e duhur. Lojtarët krijojnë shumë, por finalizimi mbetet problem. Ballshiotët vinin në këtë takim me shumë mungesa, kështu që nuk mund të bënin asgjë ndaj Partizanit dhe dukej se ata ishin dorëzuar pa hyrë në fushë. Trajneri Sampaio edhe në këtë takim tregoi se mbetet i padeshifrueshëm, pasi solli disa lëvizje që nuk ishin parë më parë. Ertan Demiri mbante shiritin e kapitenit, ndonëse në fushë ishte edhe portieri Alban Hoxha. Ideja ishte e portugezit, sepse donte që kapiteni të ishte më pranë gjyqtarëve dhe lojtarëve, por Hoxha dhe Demiri ranë dakord që propozimi i trajnerit të realizohej pa problem. Gjithashtu, për herë të parë Labinot Ibrahimi dje ka luajtur si mbrojtës i djathtë, pasi ai nuk ndihej rehat në krahun e majtë. Mbrojtësi kosovar i ka provuar të gjitha pozicionet në prapavijë, i mbetet vetëm të aktivizohet si portier. Gjithsesi, përfundimi ka sjellë një buzëqeshje në kampin e kuq, por nuk kanë kohë që të festojnë, pasi në fundjavë i pret transferta e Shkodrës.
Pjesa e parë Takimi nisi nën komandën e të kuqve, që dukej qartë se kërkonin me çdo kusht fitoren. Goli i parë vjen shpejt, ku në minutën e katërt Memelli merr një penallti, të cilën një minutë më vonë sulmuesi e konverton në gol. Pas golit vijon insistimi i Partizanit për të gjetur golin e dytë dhe të sigurisë. Ballshiotët janë të vakët në veprime, duke mos pasur forcën e duhur për të rrezikuar portën e Partizanit. Të kuqtë lëvizin shumë në fushë, por mungon pasi i fundit dhe finalizimi i aksioneve. Gjithsesi, në minutën e 44-t Mazrekaj fiton një tjetër penallti për Partizanin, pasi mesfushori kosovar pengohet në zonë nga mbrojtësi Doshlaku. Kësaj here gjuajtjen nga pika e bardhë e merr përsipër Nexhipi, i cili shënon dhe 2-0 përfundon 45- minutëshi i parë.
Pjesa e dytë Trajneri Egbo e nis pjesën e dytë me dy zëvendësime, në fushë hyn Kuli dhe Ikpe. Kuli ishte rezervuar nga trajneri, pasi duke qenë me dy kartonë të verdhë, rrezikonte që të mos luante në ndeshjen e radhës ndaj Laçit, që konsiderohet jetike për ballshiotët. Edhe këtë pjesë Partizani e nis në sulm dhe e gjen golin që në minutën e dytë me B. Krasniqin, por goli anulohet për pozicion të parregullt. Në pjesën e dytë ballshiotët janë më të lëvizshëm, por pa mundur që të rrezikojnë portierin Hoxha. Të kuqtë në këtë pjesë patën disa mundësi shënimi, por nuk mundën të ndryshojnë rezultatin dhe në fund gjithçka përfundon 2-0. Me këtë trepikësh Partizani shkon në kuotën e 36 pikëve.

MË I MIRI
Nderim Nexhipi edhe në këtë sfidë ka qenë futbollisti më i mirë për të dy skuadrat në fushën e lojës. Shqiptari nga Maqedonia jo vetëm që shënoi golin e dytë, por ishte i palodhur gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar raste për vete dhe shokët e skuadrës. Padyshim në ecurinë pozitive të të kuqve në javët e fundit ndikim ka edhe paraqitja e mirë e fantazistit me numrin njëmbëdhjetë. Prezantim pozitiv ka bërë edhe mbrojtësi Ibrahimi.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja ballshiote ka çaluar shumë në takimin e djeshëm, ku Guha dhe Doshlaku patën peshën e fajit në rastin e dy penalltive të akorduara në favorin e Partizanit. Gjithashtu, edhe sulmi i Bylisit nuk u pa askund, pasi Bordon, Shilova dhe Bakiu thjesht ishin prezentë në fushë, por pa krijuar ndonjë rrezik konkret për portën e Partizanit. Skuadra e trajnerit Egbo çaloi në përgjithësi, kjo edhe për shkak të mungesave të shumta.

SampaioSampaio: Ja pse ndërrova kapitenët
Trajneri Marcio Sampaio në pesë ndeshje si trajner i të kuqve ka marrë dy fitore, e fundit ndaj Bylisit dhe tri barazime. Trajneri fitoren e djeshme ia ka dedikuar familjes partizane. Portugezi ka sqaruar edhe zgjedhjen e Demirit si kapiten i ri, si dhe për spostimin e Ibrahimit si mbrojtës i djathtë. Sampaio deklaroi se shpreson se me këtë fitore t’u ketë dhënë fund barazimeve. “Këtë fitore dua t’ia dedikoj presidentit dhe të gjithë personave që përfshihen në klub, duke filluar nga drejtorët deri te punëtori më i thjeshtë. Gjithashtu, kjo fitore shkon edhe për tifozët që na kanë mbështetur nga fillimi në fund. Kemi fituar, por realisht nuk kemi shënuar nga aksione të rrjedhshme. Gjatë gjithë javës kemi praktikuar shumë, por nuk di se si ta shpjegoj, pasi shpërdorojmë raste para portës kundërshtare. Duhet ta ndryshojmë sa më shpejt dhe të gjejmë rrugën e golit në mënyrë normale, duke qenë sa më rezultativë në finalizimin e aksioneve. Shpresoj që me këtë trepikësh t’u kemi dhënë fund barazimeve, prandaj duhet të nisim një rrugë të re duke i marrë fitoret me radhë. Pas kësaj fitoreje nuk mund të them se jemi më rehat në rrugën drejt Shkodrës. Çdo ndeshje është histori më vete dhe askush nuk e di se çfarë mund të ndodhë”,- tha trajneri Sampaio.
Çështja e kapitenit – “Para disa ditësh pata një ide se do të ishte më mirë që kapiteni të ishte një lojtar që lëviz në fushë, pasi ai do të ishte më i pranishëm në çdo kohë për të komunikuar me gjyqtarët dhe organizuar lojtarët. Për këtë gjë fola edhe me Alban Hoxhën dhe Ertan Demirin dhe u sqarova idenë time dhe ua lashë atyre në dorë që të zgjedhin. Albani ishte dakord dhe për këtë arsye Demiri e nisi si kapiten ndeshjen me Bylisin. Realisht u surprizova pasi nuk pati asnjë problem nga lojtarët, kështu që punën e shiritit merreni si një marrëveshje të lojtarëve dhe jo një zgjedhje timen. Unë i respektoj të dy dhe i konsideroj si kapitenë.
Ibrahimi – “Labinoti si rol natyral ka qendrën e mbrojtjes, por u adaptua si mbrojtës i majtë. Ai më tha se nuk ndihej rehat në atë pozicion dhe menduam që ta zhvendosim në të djathtë të mbrojtjes, ndërsa Murati të zhvendoset në të majtë, sepse ka luajtur më parë në atë anë. Këtë zgjedhje e kemi provuar edhe në stërvitje dhe u paraqit mirë”.

Nexhipi ka shenuar ndaj TeutesNexhipi: Partizani një emër i madh, dua të mbetem gjatë
Mesfushori i Partizanit, Nderim Nexhipi, pas përfundimit të ndeshjes me Bylisin, u shpreh: “Kemi bërë një lojë të mirë dhe nga ndeshja në ndeshje personalisht po ndihem mirë. Shpresoj që edhe në ato në vijim të ndihem po kështu, sepse këtë sezon kemi pretendime për të shkuar në Europë. Mirëpo, për çdo gjë nevojitet kohë. Në vazhdim kemi përballje akoma edhe më të vështira. Fillimisht do të shkojmë në Shkodër dhe pastaj do të përballemi me Tiranën. Shpresoj që të marrim maksimumin e pikëve nga këto takime. Të shohim në maj se ku do të arrijë kjo skuadër. Sa gjatë do të qëndrojë Nexhipi te Partizani? Kjo është diçka që varet prej klubit, pasi unë kam një marrëveshje me të deri në fund të sezonit futbollistik. Normalisht që kam dëshirë të qëndroj, pasi jam i kënaqur se si rrjedhin gjërat këtu në këtë skuadër. Partizani është një prej klubeve më të mëdhenj në Shqipëri dhe do të ishte kënaqësi që të vazhdoja të isha këtu”. I pyetur se a është i kënaqur me dy golat e shënuar, Nexhipi u përgjigj: “Padyshim që po, pasi goli ndaj Teutës erdhi në një moment të rëndësishëm, ndërsa sot (dje) kisha mundësi të shënoja edhe golin e dytë, por shtylla më ndali. Në vazhdim do të jap maksimumin tim për këtë skuadër për të gëzuar dhe tifozët. Dedikimi për golin? Në çdo ndeshje që luaj mendoj për dy fëmijët e mi, Dionin dhe Aurorën dhe dedikimi shkon vetëm për ta”, – ka përfunduar Nexhipi.

hysenbelliuHysenbelliu: Fitore me vlera, do të rikthemi shpejt të dytët
Fatmir Hysenbelliu ka debutuar me fitore dje me fanellën e Partizanit. Për mesfushorin ishte një ndeshje e rëndësishme në fakt, pasi në fund “demat” morën një trepikësh të çmuar kundër Bylisit. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, futbollisti ka analizuar ndeshjen e parë me të kuqtë, si edhe objektivat e skuadrës. “Ishte një ndeshje e rëndësishme, dhe në fakt nuk e vinim në diskutim fitoren. Për fat të mirë ia dolëm, pasi bëmë edhe një paraqitje shumë të mirë. Kishim mundësi që të shënonim më shumë, megjithatë na mungoi fati dhe takimi u mbyll vetëm 2-0. Por në fund, ato që vlejnë janë pikët dhe ne jemi të tretët në renditje. Sa i përket debutimit tim, më duhet ta pranoj se ishte takim i veçantë. Përjetova shumë emocione dhe tifozët më pritën shumë mirë, ndaj u ndjeva mirë. Shpresoj që në vazhdim të jap kontributin tim në arritjen e objektivave. Tashmë objektivi është të kapim vendin e dytë dhe ta blindojmë atë. Europën kurrsesi s’e diskutojmë, ndaj tashmë duhet vetëm që të ruajmë vazhdimësinë, duke filluar nga Vllaznia, e për të kaluar te derbi i madh me Tiranën. Derisa matematika na e lejon, ne do të jemi në gatishmëri kurdoherë për vendin e parë, megjithatë fillimisht duhet të ngjitemi të dytët, më pas të shohim”, – përfundoi Hysenbelliu.

EgboEgbo: Sfida u vendos nga dy episode të dyshimta
Numri një i pankinës së Bylisit, Emanuel Egbo, në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit u shpreh se vinin me mungesa. Sipas tij, përballja e sotme (dje) u vendos nga dy episode të dyshimta. “Kemi qenë në pozita të vështira kohët e fundit, megjithatë nuk duhet të harrojmë se në këtë ndeshje vinim me mungesa në formacion, për shkak dëmtimesh dhe për shkak pezullimesh. Sfida e sotme (dje) u vendos nga dy ngjarje të dyshimta për mendimin tim. Ndërkohë, loja pothuajse ishte e barabartë. Kulin dhe Ikpenë i aktivizova në pjesën e dytë për shkak se mendova për ndeshjen e radhës. Kuli ka dy kartonë dhe nuk mund të luante që nga fillimi nga frika e ndëshkimit me të tretin. Ishte një zgjidhje taktike. Nuk e di pse ndaj nesh japin penallti shumë lehtë, por në favorin tonë e kanë shumë të vështirë të akordohen edhe kur janë të sigurta. Në rastin e sotëm (dje) nuk di se çfarë të them”, ka përfunduar numri një i pankinës së Bylisit, Emanuel Egbo.

Të veçanta nga ndeshja e djeshme
– Takimi nuk është transmetuar nga asnjë kanal televiziv. Nuk kishte ndodhur prej vitesh që një ndeshje që luhet me drita në “Qemal Stafa” të mos transmetohet direkt nga televizionet. Drejtuesit e kuq pohuan se nuk ishin vënë në dijeni për këtë gjë.
– Patrik Bordon, që në pjesën e parë të kampionatit ishte me të kuqtë, para ndeshjes është takuar me disa nga lojtarët e Partizanit. Në një moment edhe tifozët e kuq kanë thirrur emrin e sulmuesit slloven.
– Tribuna VIP ishte e tejmbushur, ku mbizotëronin përfaqësuesit e Partizanit me në krye presidentin Gaz Demi, i shoqëruar ky edhe nga disa politikanë.
– Pas ndeshjes ka pasur një bashkëbisedim mes kapitenit Demiri dhe disa tifozëve, të cilët i kanë kërkuar mesfushorit se ekipi duhet të bëjë të pamundurën që më 22 mars të fitojë derbin me Tiranën.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"