Partizani “fiksohet” me sulmuesit e Apolonisë/ E ardhmja e Mihanës dhe Gjatës, në dorën e dy Olsave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2021 | 9:53

Partizani “fiksohet” me sulmuesit e Apolonisë/ E ardhmja e Mihanës dhe Gjatës, në dorën e dy Olsave

Partizani do të nisë pjesën e dytë të merkatos dhe priten afrime të rëndësishme në ekip. Dy prej emrave më të përfolur janë Redon Mihana dhe Mario Gjata.

Mihana-Gjata

Dy sulmuesit e Apolonisë pëlqehen shumë nga stafi teknik i të kuqve dhe ka pasur bisedime mes dy palëve për këto transferime. I vetmi ngërç është që Mihana dhe Gjata janë në kontrata te Apolonia dhe duhet gjetur një marrëveshje mes drejtuesit të “demave” Olsi Rama dhe drejtuesve të Apolonisë.

BISEDIMET – “Panorama Sport” ka mësuar se pak ditë më parë, ka pasur bisedime mes drejtorit të Partizanit, Olsi Rama, dhe administratorit të klubit Apolonia Olsi Bregu. Gjithashtu, gazeta mëson se bisedimet kanë qenë pozitive, por drejtorit të Partizanit i është komunikuar se dy lojtarët kanë prioritet transferimin jashtë Shqipërisë.

Por, në rast se asgjë nuk konkretizohet me ekipet jashtë, atëherë Partizani është pista më e mundshme. Një tjetër detaj që mëson “Panorama Sport”, është se Mihana dhe Gjata kanë pasur oferta edhe nga katër ekipet e tjera pretendente të Superiores, përfshirë edhe Dinamon.

DAKORDËSIA – Një detaj interesant është se bisedimet dhe dakordësia, do të gjendet mes dy drejtuesve që quhen Olsi. Koincidencë, por ajo që mund të themi, është se ardhmja e Mario Gjatës dhe Redon Mihanës, është një çështje “Olsi”. Javën e ardhshme pritet që dy palët të ulen sërish në tavolinë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"